Sikleti i Begajt me qëndrimin për çështjen e nxehtë të “Ballkanit të Hapur” dhe incidenti me LDK-në

Aktuale

Sikleti i Begajt me qëndrimin për çështjen e nxehtë të “Ballkanit të Hapur” dhe incidenti me LDK-në

Më: 17 gusht 2022 Në ora: 12:24
Bajram Begaj, Vjosa Osmani dhe Lumir Abdixhiku

Në ditën e dytë të vizitës në Kosovë, Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është takuar në selinë e Kuvendit, me drejtues të opozitës parlamentare dhe përfaqësues të partive minoritare në Kosovë. Presidenti Begaj nënvizoi se mbështet plotësisht të drejtën legjitime të Kosovës për shtrirjen e autoritetit dhe vendosjen e sundimit të ligjit në veri të vendit, në bashkëpunim me ShBA-në dhe BE-në.

Sipas tij dialogu me Serbinë është e vetmja mënyrë që të bëhet e qartë se realiteti i Kosovës së pavarur është i pakthyeshëm dhe i pandryshueshëm.

Presidenti Bajram Begaj bëhet shtetari i parë shqiptar që refuzon të shkojë në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke bërë që të dështojë takimi i planifikuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Lajmi u konfirmua nga vetë zyrtaret e LDK-së të cilët shprehen keqardhjen për refuzimin e Presidentit Begaj për të shkuar në selinë qendrore të partisë. LDK-ja e konsideron të pazakontë qasjen e Begajt dhe nga ana tjetër thekson se zyrat e kësaj partie do të jenë gjithmonë të hapura për zyrtarët e shtetit shqiptar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje për mosrealizimin e takimit zyrtar me Presidentin e ri të Shqipërisë, shkëlqesinë e tij Bajram Begaj; me rastin e vizitës së tij të parë në Kosovë. Për dallim nga krerët insitucional paraprak të Shqipërisë, Presidentët e shkuar, Kryeministrin e tanishëm, e të tjerë kryeministra paraprak, Presidenti Begaj ka refuzuar të takojë LDK-në në selinë qëndrore të saj”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Begaj takim me partitë minoritare

Në fund të takimit me partitë politike, presidenti Begaj u takua me partitë minoritare. Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka përgëzuar presidentin Begaj për hapjen zyrtare të negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke shprehur besim se ky vendim i BE-së, pas shumë vonesave, ka kthyer vëmendjen kah Ballkani Perëndimor.

Pas takimit me krerët e partive politike, Bajram Begaj zhvilloi një vizitë në bazën e NATO-s në Kosovë, ku dhe është takuar me komandantin e KFOR-it. Si një ish- ushtarak, ish-Shef i Shtabit të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj ka pasur edhe një bisedë  me Komandantin e KFOR-it në Kosovë, Ferenc Kajari, të cilit nuk i ka kursyer edhe “këshillat” e tij, nisur nga situata e tensionuar në veri me Serbinë, të cilit i tha se duhet të jepen mesazhe për të qetësuar situatën.

Në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë, presidenti Bajram Begaj u takua me presidenten e Vjosa Osmani si dhe me kryeministrin Albin Kurti. Në këtë vizitë u përçuan mesazhe të rëndësishme që kishin një të përbashkët, nxitjen e bashkëpunimit mes 2 vendeve, për të qenë bashkë në çdo hap. Begaj, i cili kishte vizitën e tij të parë si president i Shqipërisë, i premtoi Kosovës se Shqipëria do të vijonte që të ishte një zë i fortë për ta përfaqësuar atë në arenën ndërkombëtare, aty ku Prishtina zyrtare nuk ka ende një ulëse krah shteteve të tjera të botës.

Begaj ceku liberalizimin e vizave për Kosovën, që e quajti një premtim të vonuar, e ndërsa si një ish-ushtarak nuk mund të mos vlerësonte edhe rolin e UÇK-së për pavarësinë e shtetit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat