Kumtimi elegjiak i ngjarjeve nga Grenelli / Pse i mungon Thaçi, çfarë fitonte nga ai?

Aktuale

Kumtimi elegjiak i ngjarjeve nga Grenelli / Pse i mungon Thaçi, çfarë fitonte nga ai?

Nga: Idriz Morina Më: 17 gusht 2022 Në ora: 16:21
Grenelli ende po e vajton

Grenell e zbulon më në fund një pjesë të historisë së trishtë të Kosovës, kur po zhvillohej beteja e madhe, për copëtimin e Kosovës.

Në vitin 2020 dukej se kjo betejë po e arrinte kulmin. Për të realizuar qëllimet, u rrëzua koalicioni LDK-VV, dhe u krijua një koalicion që në qendër të boshtit e kishte, Hashim Thaçin dhe Riçard Grenellin, ndërmjetësin e caktuar nga presidenti amerikan Donald Tramp.

Beteja po merrte hov, por, kundërshtimet për ndarjen e Kosovës kishin arritur kulmin, dhe një nga shkaqet që çoi në krijimin e koalicionit LDK-VV, ishte pikërisht se numri më i madh i atij opsioni ndodhej tek këto dy parti, dhe që kishin pasur edhe rezultatet më të mira në zgjedhjet e vitit 2019.

Por, kjo qëndresë u godit rëndë nga figura kyçe e përkrahjes së ndarjes së Kosovës Hashim Thaçi, dhe nën ndikimin e tij ranë zyrtarët kryesorë të LDK-së, të cilët vendosën për prishjen e koalicionit, duke e fshehur projektin e tyre, dhe në emër të pakënaqësisë për shkarkimin e Agim Veliut, i cili tashmë shihej si njëri nga protagonistët kryesor në LDK.

Grenell citohet e intervistohet nga mediume periferike dhe serbe

Por, një pjesë të këtyre intrigave, pa folur për projektin e ndarjes së Kosovës, të cilin si opsion Grenelli e mohonte, ai e ka zbuluar, një pjesë të procesit apo të ngjarjes, marrëveshjes në Uashington me 4 shtator 2020, vetëm dy muaj para arrestimit të Hashim Thaçit.

Sipas Grenellit, që aso kohe ishte i dërguar i presidentit Tramp për dialogun Kosovë-Serbi, ish-presidenti Hashim Thaçi e kishte negociuar thuajse në tërësi marrëveshjen në fjalë, që u nënshkrua në Shtëpinë e Bardhë, nga kryeministri i atëhershëm, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidenti amerikan Tramp.

“Marrëveshja e gjitha ishte negociuar nga Thaçi, Hoti nuk e kishte negociuar pjesën më të madhe të saj”, ka thënë Grenell, në një intervistë për mediumin “The Pavlovic Today”.

“The Pavlovic Today” është një medium i themeluar gjashtë vite më parë nga një gazetare serbe, Ksenija Pavlovic që jeton në SHBA, e cila e ka emërtuar edhe mediumin sipas mbiemrit të saj të vajzërisë.

Edhe kjo është një shenjë se Grenellit i është ngushtuar shumë hapësira e komunikimit me media, dhe se ai mund të citohet e intervistohet nga mediume periferike. Madje kryesisht nga media që mbrojnë dhe afirmojnë interesat serbe, apo edhe politikan shqiptarë, që sillen po sipas atyre interesave.

Për dallim nga mediat tjera ne morëm në shqyrtim, informacionin e dhënë nga Grenell për faktin, se cili ishte roli i Hashim Thaçit në rrëzimin e koalicionit LDK-VV dhe në arritjen e marrëveshjes së përmendur.

Në vazhdimësi disa analistë dhe politikan kanë theksuar se Thaçi është munduar gjer në fund, që në marrëveshjen në SHBA, të arrihej një marrëveshje edhe për ndryshimin e kufijve, por që si duket përfundimisht, shërbime të fuqishme amerikane e kanë hedhur poshtë, si një projekt të rrezikshëm.

Grenelli pavarësisht që nuk ka dhënë detaje të tjera për bisedimet e bëra për ndarje të Kosovës, sidomos në vitin 2019 dhe gjysmën e parë të vitit 2020, ai jep indikacione të qarta se me Hashim Thaçin, bisedimet do të kishin qenë më të qarta. Por, ai nuk e thekson mënyrën apo cilësinë e atyre bisedimeve që janë zhvilluar, dhe për të cilat ai është shumë mirë i informuar pavarësisht deklarimeve.

Lavdëron një mashtrues dhe keqpëdorues masiv të buxhetit

Përndryshe Grenell po të mos ishte kaq shumë i informuar për qëndrimet politike të Thaçit, nuk do të deklaronte se “beson se (Thaçi) po bënte më shumë progres”, për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës.

Image
Hoti në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Uashingtonit, në prani të presidentit Trump

Kjo mënyrë e kumtimit elegjiak të ngjarjeve apo proceseve është një tjetër dëshmi, se ky njeri ka një hall personal, material apo shpirtëror këtë nuk mund ta dimë tani, por motivimi i tij është i thjeshtë, dhe i pandershëm.

“Kam besim se populli i Kosovës do të ishte në paqe nëse Thaçi do të ishte ende President. Ata gjithashtu do të kishin bashkëpunim më të madh ekonomik me fqinjët e tyre dhe më shumë vende pune për fëmijët e tyre nëse Thaçi do të kthehej”, ka deklaruar Grenell.

Me këtë pohim se populli do të jetonte në paqe, Grenell po bën propagandë negative dhe më e rëndësishmja të pavërtetë për Kosovën. Në kohën e Thaçit kanë ndodhur trazirat më të mëdha, dhe sot thuajse nuk ka protesta fare ose ato janë të qeta, dhe nuk është regjistruar përdorur arrestimi as në protestat e veteranëve.

Ndërsa, hamendësimi i tij se shqiptarët do të jetonin më mirë ekonomikisht me Thaçin është i pavërtetë plotësisht, sepse pikërisht gjatë kohës së pushtetit të tij, si kryeministër apo president kanë ndodhur vjedhjet më të mëdha buxhetore, manipulimi me tenderë, e deri tek llojet e vjedhjes, si rasti i dy milionë eurove, drejtpërdrejt nga thesari.

Si kam theksuar në një analizë timen, vjedhjet në ato qeveri, nuk ishin si ato vjedhësve të bankave, që maksimalisht mund të arrinin në 100%, por këta ia dilnin të vidhnin edhe mbi 110 për qind!

Pra, këto krime të tmerrshme ekonomike nuk ia kemi borxh, asnjë politikane, e aq më pak një pseudoheroi, si Hashim Thaçi, që në Hagë akuzohet, mbi të gjitha për pjesëmarrje, organizimin si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale ndaj kundërshtarëve politik, në fakt ndaj mbështetësve të Rugovës dhe zyrtarëve të LDK-së.

Grenell e ka shfrytëzuar rastin ta sulmojë edhe presidencën Biden, duke theksuar: “me çdo masë objektive, situata në Kosovë dhe Serbi po përmirësohej gjatë administratës së Trump. Të dyja palët folën rregullisht me njëra-tjetrën dhe me Shtëpinë e Bardhë, duke bërë përparim nën Trump”.

Sa i përket bisedave të rregullta Grenelli edhe në këtë pikë është plotësisht i pasaktë. Që kur Thaçi ishte kryeministër ai deklaronte se kishte biseda telefonike ditore me Vuçiqin. Dhe të gjithë shqiptarët janë dëshmitarë, se ky komunikim i Thaçit me Vuçiqin, nuk kishte dërguar askund tjetër, përpos në nënshtrim ndaj Serbisë, në bërjen e marrëveshjeve të dëmshme, si ajo për Asociacionin, për energjinë dhe të tjera, për të arritur kulmin tek deklarata absolutisht tradhtare: Leposaviçi dhe Leshaku janë dhurata të Rankoviçit.

Madje me këtë deklaratë përveç që tregonte gatishmërinë për t’ia falur ato pjesë Serbisë, pretendonte që kundërshtarët t’i akuzonte për mbështetës të Rankoviçit, një figure kriminale, ndoshta më e ligë se ajo e Millosheviçit.

Po ashtu administrata Biden, është ajo që ka rivendosur parimet e ruajtjes së sovranitetit të Kosovës, të tërësisë tokësore, të moslejimit të një 'asociacioni me kompetenca antikushtetuese apo edhe një shtet brenda shtetit’, këto të fundit të afirmuara nga i dërguari i Biden, Gabriel Escobar.

Ai e ka akuzuar Albin Kurtin, se ai e ka refuzuar njohjen e ndërsjellë të targave me Serbinë.

“Tash e kemi këtë djalin radikal, Kurtin. Sipas një burimi të besueshëm në dhomë gjatë bisedimeve për targa, Kurti në mënyrë të njëanshme refuzoi njohjen e ndërsjellë të targave. Është e frikshme se njerëzit nuk e ndajnë Kosovën nga Kurti”, thotë ai.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat