Haxhiu: Nuk ka kuptim qëndrimi i opozitës, me votim të fshehtë emri im do votohet vetëm një herë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu pas dështimit për herë të 42'të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës tha se qëndrimi i opozitës nuk ka kuptim.
Haxhiu thotë se LVV e ka të pamundur që të konstituojë Kuvendin e Kosovës vetëm duke shtuar se përgjegjësia është e të gjithëve të japin kontributin e tyre, shkruan KosovaPress.
Haxhiu: Nuk ka kuptim qëndrimi i opozitës, është e pamundur që LVV e vetme ta konstituojë Kuvendin e Kosovës
“Për mua nuk ka kuptim ky qëndrim i opozitës. Është shkeljeje e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Shkelje e dy aktgjykimeve të Gjykatës Kushtetuese...Kemi reflektuar, kemi bërë kompromise, por në anën tjetër, ka qenë e pamundshme që vetëm LVV-ja të arrijë ta konstituojë Kuvendin e Kosovës. Është përgjegjësi e të gjithëve që të japin kontributin e tyre”, tha Haxhiu.
Kandidatja për kryeparlamentare rikonfirmoi qëndrimin se emri i saj do të votohet vetëm një herë me votim të fshehtë.
Haxhiu: Emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë, nuk do të ketë herë të dytë
“Nuk e kam dëgjuar se çfarë ka thënë deputeti Berisha. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka thënë që votimi i fshehtë nuk është shkelje e kushtetutës. Pra, kjo është konfirmuar...Unë kam thënë se emri im me votim të fshehtë shkon vetëm një herë. Nuk do të ketë herë të dytë. Propozimi i dytë është që ne kemi thënë le ta bëjmë një marrëveshje bashkërisht e rrëzojmë komisionin për votimin e fshehtë. Pastaj, merremi vesh për kryetarin e kuvendit dhe në anën tjetër për kryetarët. Nuk ka kuptim për mua që të thuash se po shkoj në takim sepse po dëshmoj vullnet për ta ndryshuar gjendjen, por në anën tjetër të mos bësh asnjë lëvizje. Madje, të bësh regres”, tha Haxhiu.
Seanca konstituive e thirrur të mbahej sot në orën 11:00 u shtye për në orën 20:00 për shkak të paralajmërimit për shpërthimin e një bombe brenda ndërtesë së Kuvendit të Kosovës.
Pas kësaj, Policia e Kosovës kërkoi nga deputetët që ta lirojnë ndërtesën.