Hill rrëfen prapaskenat e bisedimeve të Rambujesë

Aktuale

Hill rrëfen prapaskenat e bisedimeve të Rambujesë

Më: 11 nëntor 2025 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 16:44 më 11.11.2025
Christopher Hill

Hill: Nuk më kujtohet nëse në takimin me Thaçin dhe të tjerët u diskutua për persona të ndaluar

Hill tha se nuk e mban në mend nëse gjatë takimit të tij me Hashim Thaçin dhe pjesëtarë të tjerë të UÇK-së në nëntor të vitit 1998 në Dragobil ishte diskutuar për persona të ndaluar nga UÇK-ja.

“Në atë takim, nuk më kujtohet të jetë bërë një diskutim i tillë. Kanë kaluar rreth 27 vjet. Më kujtohet që ishte diskutuar nëse UÇK-ja do të ishte e gatshme të diskutonte për çështje që ishin ngritur në marrëveshjen e Rambujesë. / REL

Hill: Më vonë mësova se Thaçi shkoi në Shqipëri para bisedimeve në Paris

I pyetur nëse e dinte që Hashim Thaçi kishte mbajtur takime me krerët e shtetit në Shqipëri gjatë kohës mes konferencës së Rambujesë dhe bisedimeve në Paris më 1999, Hill u përgjigj se fillimisht, në atë kohë, nuk ishte në dijeni.

Hill shtoi se “më vonë kam mësuar se kishte shkuar në Shqipëri, por nuk mund ta them se kur kishte ndodhur”.

“Shtetet e Bashkuara ishin në kontakt me Shqipërinë dhe e dinin se shteti shqiptar mbështeste procesin e Rambujesë”, theksoi Hill.

Sa për dijeni, bisedimet në Rambuje u mbajtën në shkurt 1999, dhe pasi nuk kishte marrëveshje, pati bisedime në Paris në mars 1999.

Përfundimisht, pala kosovare e pranoi marrëveshjen, ndërsa pala serbe e hodhi poshtë, duke nxitur fushatën e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve të ushtrisë serbe, çka hapi rrugën për pavarësimin e Kosovës më vonë. / REL

Rifillon seanca pas pushimit të drekës

Rifillon seanca pas pushimit të drekës.

Gjykatësi urdhëroi që ajo të mbahej në privatësi për disa minuta dhe tha se gjykata do ta njoftojë publikun të mërkurën në mëngjes rreth asaj çfarë u diskutua në privatësi.

Christopher Hill: Rexhep Selimi ishte nga Grupi i Drenicës, përfaqësonte opinionet e tyre

Christohper Hill gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se kishte opinione të vlefshme për pozitën e Rexhep Selimit në UÇK.

Ndërsa, duke folur për takimin në Likoc që kishte ndodhur më 29 korrik 1998, Hill tha se menduan që Selimi do kishte pozicionin që të jepte përgjigje për propozimin e tyre për një grup negociator me Serbinë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, Hill tha se kur nuk morën përgjigje nga Selimi, kuptuan që përfaqësonte opinione të Grupit të Drenicës, të cilit edhe i takonte.

“Ne kuptuam se Selimi do të ishte në pozicion që të na jepte përgjigje. Por, në fakt ishte nga Grupi i Drenicës. Në situatën kur nuk morëm përgjigje, atëherë ne menduam se ai thjesht po përfaqësonte disa opinione të Grupit të Drenicës”, tha Hill.

Dëshmitari tha se nuk i kujtohet nëse Sylejman Selimi, Bislim Zyrapi dhe Sami Lushtaku ishin në këtë takim në Likoc. Madje, për Zyrapin tha se nuk i kujtohet si emër se kush ishte.

Në takimin në Likoc, dëshmitari tha se ka pasur edhe persona të tjerë por që nuk i kujtohet të ketë folur me ata përveç se me Rexhep Selimin.

Dëshmitari tha se me Thaçin nuk është takuar më përpara takimit në Dragobil. Por, ai shtoi se emri i tij përmendej si dikush me të cilin ai duhej të takohej.

Hill për takimin me Thaçin dhe të tjerët: Nuk isha në praninë e një vrasësi

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, diplomati amerikan, Christopher Hill tha se në takimin me Hashim Thaçin nuk e ka ndjerë veten se ishte në praninë e një vrasësi.

Sipas Prokurorisë, dëshmitari kishte thënë për mbrojtjen se në takim ishte një person që kishte reputacion që ishte i përfshirë në të shtëna me armë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Por, për personin që kishte deklaruar më herët se donte të hynte në takim me armë, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se ka thënë që ai njihej si “një person që shtinte me armë”.

“Personi që donte të hynte në takim së bashku me armën, nuk dukej si një person i nivelit të lartë në hierarki. Por, mund të shihej se ai nuk ishte thjesht një trupojë-një roje, por nuk kishte askush tjetër armë brenda shtëpisë. Nuk më kujtohet ta kem thënë se ky person njihej për gjeste të tilla. Nuk jam shumë i qartë me këtë citim”, tha Hill.

Prokurori James Pace e pyeti dëshmitarin më pas se a qëndron ajo që ka thënë se kur ishte takuar me Thaçin nuk ishte ndjerë sikur ishte në praninë e një vrasësi. Ndërsa, nga një gabim në transkript, thuhej se dëshmitari ka thënë të kundërtën e që u kërkua sqarim nga ana e tij.

“Kam thënë që nuk isha, përgjigje negative”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tregoi se në takim kanë qenë një person, Jakup Krasniqi dhe Thaçi përveç ndërkombëtarëve.

Pas kësaj, Hill tha se Jakup Krasniqi njihej si zëdhënësi i UÇK-së.

Hill për Xhavit Halitin: Dikush më tha se ishte në nivel të lartë, e dikush se ishte shok me të rëndësishmit e UÇK-së

Christopher Hill tha në Hagë tha se takimi i parë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) ndodhi në Tiranë, konkretisht me Xhavit Halitin.

Ai tha se dikush i tha për Halitin se ishte në nivel të lartë e disa të tjerë i thanë se ishte shok me personat e rëndësishëm me UÇK-në, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Dikush më kishte thënë se ishte në nivel të lartë. Dikush më kishte thënë se ishte shok me personat e rëndësishëm në UÇK. Nuk isha i sigurt se kush kishte të drejtë por ishte ai që përfaqësonte dëshirën për të ndjekur pistat e propozuara”, tha Hill.

Takimin në Junik, dëshmitari tha se nuk do e quante me UÇK-në por me bujqit që kishin vuajtur nga sulmet serbe.

Pasi përfundoi me pyetjet mbrojtja e Krasniqit, pyetjet për këtë dëshmitar i ka filluar prokurori James Pace, i cili i tha dëshmitarit se ka planifikuar rreth pesë orë për dëshminë e tij në Hagë.

Sipas dëshmitarit, në këtë takim në Junik ishte ardhë edhe një burrë me mjekër të zezë e që kishte edhe rroba ushtrie. Ai tha se ky person përfitoi nga rasti duke bërë fotografi me ata duke përfshirë edhe Richard Hoolbroke.

Tutje, Hill tha se Sllobodan Millosheviqi i kishte thënë Hoolbrok-ut se nuk do të takohej më me atë pasi që ai ishte takuar me UÇK-në.

Veç kësaj, Hill tha se Hoolbroke i kërkoi atij që të shkonte në Beograd dhe të fliste me Millosheviqin.

Hill: Demaçi ishte kundër çdo gjëje që s’kishte pavarësi, kur kishte problematika supozonim që ishte ai

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, tha të martën në Hagë se Adem Demaçi ishte kundër çdo gjëje që nuk e kishte pavarësinë e Kosovës.

Veç kësaj, Hill tha se kur ekzistonin problematika serioze gjatë Marrëveshjes së Rambujesë, supozonin se pas tyre ishte Demaçi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Ne e dinim që Adem Demaçi ishte kundër çdo negociate me serbët dhe ishte kundër çdo gjëje që nuk trajtonte çështjen e pavarësisë. Pra, kur ekzistonin problematika serioze të rënda, ne supozonim që është Demaçi pas këtyre”, tha ai.

Hill theksoi se në këtë pikë, mendonin se nuk ishte ndonjë person që ta nënshkruante marrëveshjen.

Dëshmitari e tha këtë pasi iu prezantua një dokument në të cilin thuhej se ka pasur një konflikt të madh për Rambujenë brenda UÇK-së.

Po ashtu, në të njëjtin dokument thuhej se antagonisti kryesor politik i UÇK-së ishte Adem Demaçi.

Hill: Nuk besoj dhe as s’kam dëgjuar që Thaçi të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme

Edhe sot avokati i Thaçit, Lluka Mishetiq është duke e marrë në pyetje diplomatin Hill. I pyetur se pse ka vendosur të marrë pjesë në këtë proces gjyqësor, Hill ka thënë se nuk ka arsye për të besuar se Thaçi është përfshirë në aktivitete për të cilat akuzohet.

“Nuk kam arsye të besoj, dhe as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitete të paligjshme.

Dhe siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje.

Pra ndjeva, kur mu kërkua kjo gjë, pasi njerëzit më kontaktuan mua, që duhet të thosha atë që dija në lidhje me situatën”.

Hill: Nuk besoj se Thaçi ishte përfshirë në veprimtari të paligjshme

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill në ditën e dytë të dëshmisë në Gjykatën Speciale, është pyetur se pse ka vendosur që të dëshmojë si dëshmitar i thirrur nga Hashim Thaçi.

“Koha nuk i shëron të gjitha, siç thuhet të gjitha plagët, por mendoj se pas 25 viteve është kohë e madhe që të mendohet, pikë së pari nuk kam arsye që të besoj se zoti Thaçi ishte i përfshirë në aktivitete të tilla, nuk kam arsye të besoj as nuk kam dëgjuar që të ketë urdhëruar aktivitete të tilla apo veprimtari të tjera të paligjshme. Siç e kuptoj unë, ai është mbajtur i paraburgosur për një kohë të caktuar lidhur me këto çështje. Dhe ndjeva se duhet të thoja diçka për situatën”, tha ai.

Ai ka folur për kohën e përfundimit të luftës në Kosovë, largimin e forcave serbe dhe hyrjen e forcave të NATO-s në Kosovë.

Ai foli edhe për vizitën e Clintonit që i bëri asaj kohe në Maqedoninë e Veriut, ku falënderoi atë për pritjen e refugjatëve kosovarë.

Ish-diplomati amerikan, Christopher Hill, vazhdon sot dëshminë në Speciale

Ish-diplomati amerikan Christopher Hill vazhdon sot dëshminë në Gjykatën Speciale, duke filluar nga ora 09:00. Ai nisi dëshminë dje dhe është dëshmitari i radhës i mbrojtjes së Hashim Thaçit. Deri më tani, Hill është dëshmitari i pestë i paraqitur nga ekipi i mbrojtjes në gjykimin “Thaçi dhe të tjerët”.

Christopher Hill dje gjatë dëshmisë së tij në Hagë tha se në çështjen e Kosovës ishte angazhuar nga SHBA-të në maj të vitit 1998 nga Madeleine Albright, të cilës i raportonte. Ai tha se kuptonte rolin e tij si diplomat që duhej të ofronte mbështetje ose zgjidhje politike për të ndalur dhunën në Kosovë.

Hill tregoi se me kolegët e Departamentit të Shtetit kishin punuar për një plan autonomie që do t’i kthente Kosovës vetëqeverisjen.

Dëshmia e tij u dha në përgjigje të pyetjeve të mbrojtjes së Hashim Thaçit, të përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.

Hill tha se si diplomat në Maqedoni dhe Shqipëri, Kosova ishte një temë e madhe, por jo e vetmja në Ballkan, pasi kishte edhe luftëra në Bosnjë e Hercegovinë dhe Kroaci.

Ai theksoi se deri në maj 1998 nuk e kishte vizituar Kosovën dhe se në bisedimet e Dejtonit fokusi ishte përfundimi i luftës në Bosnjë, por Kosova përmendej nga amerikanë me prejardhje kosovare që kërkonin zgjidhje.

Hill shtoi se kishte biseduar për Kosovën edhe me Sllobodan Millosheviqin, duke theksuar se e dinin që Kosova do të ishte çështja tjetër pas Bosnjës.

Tutje në pyetjen e Mishetiqit se në palën kosovare a keni gjetur ndonjë emër që mund të fliste me autoritet në emër të shqiptarëve të Kosovës, Hill e përshkroi situatën në Kosovë si shumë sfiduese, duke theksuar vështirësinë për të gjetur bashkëbisedues me autoritet politik.

“Ka qenë një sfidë e madhe, në disa momente ishte ndërmarrje e vështirë të gjendeshin njerëz që flisnin me autoritet. Çdokush kishte një mendim lidhur me të, por problemi ishte të gjendej dikush që kishte autoritet. Një prej personave të tillë ishte kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, i cili kishte pozitë udhëheqëse në Kosovë,” tha Hill.

Kurse në pyetjen e avokatit Mishetiq se kush është takuar me UÇK-në për herë të parë në emër të shteteve të Bashkuara të Amerikës  ai tha se me UÇK ishte pamundësia për të zgjedhur një lider udhëheqjeje. Për të gjetur njerëz që mund të flisnin me autoritet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat