U realizuan me sukses “Ditët e kulturës shqiptare në Skandinavi”

Diaspora

U realizuan me sukses “Ditët e kulturës shqiptare në Skandinavi”

Nga: Qerim Kryeziu Më: 28 nëntor 2022 Në ora: 23:04
Foto nga vendngjarja

Në nderim të Ditës së Flamurit e festave tjera të Nëntorit u realizuan tri mbrëmje kulturore, në kuadër të manifestimit “Ditët e Kulturës Shqiptare në Skandinavi”. Manifestimi u mbajt në Malmö të Suedisë, në ambientin e Qendrës Kulturore të Kosovës dhe në sallën e koncerteve artistike të shkollës “Malmö Latin”. Manifestimi, me tri mbrëmjet e bukura kulturore, u organizua nga Qendra Kulturore Shqiptaro-Suedeze “Okarina”, i mbështetur nga Ministria e Jashtme dhe e Diasporës e Kosovës dhe i ndihmuar financiarisht nga individë e biznese shqiptare nga Suedia e Kosova.

Mbrëmja e parë, 25 nëntor

Filloi në orën 17:00 me një pritje të këndshme e të bereqetshme nga Shoqata “Vlora” e Malmös. Në hollin e Qendrës Kulturore, pranë muralit të bukur të Gjergj Kastriotit, shoqata kishte shtruar darkë me specialitete të traditës kulinare shqiptare. Salla kryesore e Qendrës ishte zbukuruar me pikturat e artistëve nga Kosova Urata Bllaca e Kushtrim Rashiti. Në orën 18:00 filloi solemnisht programi i mbrëmjes së parë me një uverturë sintetizuese për lavdinë historike të Nëntorëve shqiptarë nga moderatorët Gala e Qerim Kryeziu. Pastaj përshëndeten kryetari i Qendrës Kulturore “Okarina” Bashkim Jashari, konsulli i Kosovës në Suedi Ardian Kolaj dhe drejtori në Drejtorinë për Rini e Sporte në Ministrinë e Kulturës të Republikës së Kosovës Xhevat Bajrami.

Në mbrëmjen e 25 nëntorit u bënë këto promovime: “Mes kërshërisë dhe dashurisë për muzikën” e Rreze Kryeziut- Breznica, “Reflektime” e Fatah Bahtirit, “Figura e Skënderbeut në krijimet folklorike, në letërsi, muzikë e art” e Rexhep Jasharit, ”Shenjtores shqiptare” (përmbledhje me këngë) e Valton Beqirit dhe Rreze Kryeziut-Breznica, ”Asgjë nuk dhembë më shumë se ti” (vepër e Karin Boye e përkthyer e në shqip) nga Qerim Raqi, dhe “Shqiptarët në retrokujtesën nordike” e Qerim Kryeziu. Të gjitha promovimet u priten mirë dhe u përshëndeten miqësisht autorët e librave të promovuar.

Mbrëmja e dytë, 26 nëntor

Në mbrëmjen e dytë u shfaq një koncert artistik në “Malmo Latinskolan”. Koncerti filloi në orën 16:00 në sallën e bukur të koncerteve të muzikës klasike para shumë bashkatdhetarëve dhe miqve suedezë e danezë. Në koncert erdhi edhe Niklas Karlsson deputet i Parlamentit të Suedisë nga partia Socialdemokrate . Bashkatdhetarëve ua uroi festat Nëntorit edhe nënkryetari i rizgjedhur i komunës së Landskronës Fatmir Azemi. Në program u ekzekutuan këto vepra: Johan Sibelius “Var det en dröm”, Avni Mula “Agimet Shqiptare” të interpretuara nga solistja Albina Isufi soprano nga opera e Stockholmit shoqëruar në piano nga Johan Morge- Reis nga Malmö e prof. Valton Beqiri nga Prishtina; popullore “Zare lulebore” e përpunuar nga prof. Valton Beqiri dhe “Solveigs sang” e Edvard Grieg të kënduar nga sopranoja e operës së Oslos Lindita Ottarsson, të shoqëruar me piano nga prof.Valton Beqiri; popullore. “Hapi sytë e zezë” e përpunuar nga prof. Edon Ramadani pianist dhe dirigjent dhe e kënduar nga këngëtarja Ariana Jashari studente në Shkollën e Lartë të Muzikës në Universitetin e Lundit, shoqëroi me piano prof. Edon Ramadani; E.di Capua “O Sole mio” e kënduar nga Josep Cuso Herrero tenor nga Malmö i shoqëruar me piano nga Nita Bahtiri: J. Ibert “Piéce” e luajtur me flaut nga instrumentistja e talentuar Diana Jashari studente Shkollës së Lartë për Muzikë dhe Art në Universitetin e Goteborgut; Avni Mula “Valsi i lumturisë” dhe CH.Gounod “Je veux vivre” të kënduara nga soprano e Filharmonisë së Kosovës Zana Ramadani dhe e shoqëruar me piano nga prof. Valton Beqiri; Feim Ibrahimi “Unë biri yt Kosovë” dhe G.Puccini “Chi il bel sogno di Doretta” të interpretuara nga Aridita Ukaj soprano nga Malmö e shoqëruar me piano nga prof. Valton Beqiri dhe Nita Bahtiri.

Koncerti, ndonëse pati për titull një togfjalësh të huaj “Albanian Soule” përmbante perlat e muzikës shqiptare të kultivuar dhe asaj botërore. Të gjithë solistët ishin të disponuar, pa dallim. Në të gjitha pikat muzikore shfaqeshin në majat e mprehtësive interpretuese dhe në maksimumin e preformizmit profesional. Instrumentistët gjithashtu. Udhëheqësi artistik i koncertit prof. Valton Beqiri, me lojën e tij, me kujtonte thënien e Mozartit “Tri gjera janë të domosdoshme për një pianist të mirë: koka, zemra dhe gishtat”. Të trijat i funksiononin shkëlqyeshëm prof. Valton Beqirit në koncertin e Malmös. Publiku dëgjonte dhe përjetonte ëmbëlsisht muzikën e artistëve shqiptarë e të huaj. Një koncert me përzgjedhje të mirë përmbajtjesore dhe me realizim mjeshtëror. Koncertet e tilla shfaqen rrallë, shumë rrallë para syve të bashkëkombësve prandaj, u duartrokit gjatë. Të gjithë solistët e instrumentistët, përveç trëndafilave të kuq morën edhe falënderimet e përqafimet e shumta të mërgimtarëve që ishin bërë bashkë, jo rastësisht në festimin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit kombëtar.

Mbrëmja e tretë, 17 nëntor 22

Aktivitetet e mbrëmjes së tretë u zhvendosen serish në lokalet e Qendrës Kulturore. Përveç konsullit tonë në Stockholm Ardian Kolaj erdhën edhe Mentor Halilaj e Valdrin Grainca nga konsullata shqiptare në Danimarkë. Në orën 14:00 filluan shfaqjet e dokumentarëve televiziv. Para se të shfaqej dokumentari i parë “Ullmar Qvick- Ambasador i Kulturës Shqiptare në Suedi” u realizua një lidhje telefonike me albanologun e njohur suedez. Qvicku përshëndeti të pranishmit në sallë dhe gjithë shqiptarët në botë me urimet më të mira për Ditën e Flamurit. Urimit i fali edhe një rrëfenjë interesante historike rreth vjetërsisë së heraldikave shqiptare, suedeze e europiane. Pas filmit për Qvickun u shfaq dokumentari “Aktivisti i gjelbër” i regjisorit nga Kopenhaga Ixhet Lutfiu që kishte për temë figurën e Niels Henrik Hooge filozof, ish ushtar i UÇK-së dhe aktivist i të Gjelbërve në Kosovë e Danimarkë. Dokumentari interesant “Okarina e Runikut” i regjisorit Genc Berisha, skenaristes Seadet Beqirit (ishte vet e pranishme) dhe producentit Fatmir Spahiu kishte për subjekt instrumentin e lashtë shqiptar të gjetur në Runik të Drenicës. Dokumentari i fundit titullohej “Bekim Çallaku-Shqiptari i shpallur Hero nga Mbretëria Daneze” i Ixhet Lutfiut e Ibrahim Xhemailit nga Kopenhaga. Në vitin 2014, Bekim Çallaku (nga Kaçaniku, me punë e banim në Kopenhagë) shpëtoi një nënë me gjithë bijë, në një lagje të Kopenhagës nga sulmi, gati fatal i një personi me telashe mendore.

Falënderim

“Ditët e Kulturës Shqiptare në Skandinavi” u realizuan me sukses edhe në saje të sponsorëve të shumtë. Falënderojmë: Ministrinë e Jashtme e të Diasporës të Kosovës, emblemën e sportit suedez, europian e botëror të hipizmit- shqiptarin Lutvi Kolgjini, firmën “Lutvi Kolgjini AB -VEBERÖD”, firmën “Systemputs M.B.T. AB, Tvååker”, “A.S Svets & Montage AB, nga Landskrona”, firmën “BBR Konsult i Stockholm AB”, Qendra rinore “ALBKOS” nga Hässleholmi”, “All stad” nga Malmö, restorantet “Malmö Piccolo Mondo” dhe” Spot” në Malmö, firmën “Adelina Gross AB, Malmö”, firmën ”Malmö LEFAB Bygg & Entreprenad – Malmö”, “Unionin e Shoqatave Shqiptare në Suedi” dhe butikun “Traditë n'KF – fashion designer”, nga Prekazi në Kosovë. Manifestimin e nderuan me pjesëmarrje edhe familjet e respektuara shqiptare në Suedi, familja Jashari e Kolgjini si dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar nga Danimarka: Ibrahim Xhemajli, Adnan Aliti, Ixhet Lutfiu, Bekim Çallaku dhe Murat Rudi.

Falënderojmë Shoqatën “Vlora”, kryetaren e shoqatës Drita Egriu (me anëtaret tjera) për ushqimet dhe punën e palodhshme që bënë gjatë tri ditëve të manifetsimit.

Një inkurajim e falënderim publik anëtarëve të Këshillit Organizativ të manifestimit “Ditët e Kulturës Shqiptare në Skandinavi”: Bashkim Jasharit, Drita Kolgjinit, Drita Egriut, Yllka Halilit, Aurora Gashit , Valmire Hoxhës, Sherif Hasanit, Fatmir Azemit, Hamdi Goxhulit, Beqir Shaqirit, Jashar Jasharit dhe Qerim Kryeziut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat