Festat shqiptare në mesin e mërgimtarëve kanë emocionin e asaj që ruan gjallërinë, kujtesën dhe pasurinë e trashëgimisë familjare dhe kombëtare. Motivi ekzistencial dhe vala e jetës që i nxorri të mërguar në tokën e gadishullit Apenin, nuk tretën asnjëherë vullnetin dhe dëshirën për të mbajtur gjallë traditën mes të djeshmes së lavdishme dhe të ardhmes sfiduese para proceseve të asimilimit dhe harresës.
Gjuha dhe fjala, kënga dhe vallja, veshjet popullore krahinore që pasurojnë mozaikun kulturor dhe etnografik gjithkombëtar, janë motiv i çdo feste dhe bashkimi të mërgimtarëve larg atdheut.
Të shtunën me 21 nëntor të këtij viti mërgata e Trevizos, e cila është e organizuar nëpërmjet aktiviteteve të Shoqatës kulturore “Shën Nëna Tereze”, nderoi në mënyrë dinjitoze Festën e Pavarsisë së Shqipërisë duke bashkërenditur sukseset e angazhimit të vazhdueshëm dhe vulën e gjurmëve të komunitetit shqiptar i cili me punën e vet ka arritur të jetë i çmuar dhe i vlerësuar edhe në mesin e popullit italian.
Pikërisht suksesi i integrimit dhe raporteve interkulturore midis komunitetit shqiptar nga Kosova dhe gjithë trojet etnike me qytetarët e provincës së Trevizos, dhe marrëdhëniet e mira midis komunës së Quinto di Treviso dhe komunës së Klinës në Kosovë, sollën edhe zgjerimin e bashkëpunimit dhe realizimin e projektit të binjakëzimit të Quintos me Klinën.
Prandaj Kryetari i Komunës së Quinto di Treviso Ivano Durigon me bashkëpuntorët si dhe kryetarin e provincës kishte dalur në Vilën komunale Memo Giordani Valeri, ti priste në vizitë institucionale Ambasadoren e Republikës së Kosovës në Itali, zonjën Nita Shala dhe konsullin e përgjithshëm të Kosovës në Milano, z. Rexhep Bajraktari të shoqëruar nga aktivistët e shoqatës kulturore “Shën Nëna Tereze”.
Takimi institucional ishte mjaft i ngrohtë dhe aty kishte ardhur edhe kryetari i provincës së Trevisos Marco Denadel. MIkpritja e autoriteteve vendore ishte shembullore dhe e ngrohtë plot respekt dhe fjalë dashamirësie për mërgimtarët kosovarë dhe sukseset e tyre. Kryetari Durigon si dhe kryetari Denadel falenderuan diplomatët kosovarë për vizitën e tyre si dhe i uruan punë të mbarë e të suksesshme konsullit të ri z. Bajraktari duke vlerësuar pozitivisht bashkëpunimin që kanë pasur me ish-konsullin z. Diamant Kastrati.
"Jemi veçanërisht të kënaqur që po mirëpresim ambasadoren Shala dhe konsullin e Përgjithshëm Bajraktari në komunë tonë", tha kryetari Ivano Durigon. "Kjo vizitë paraqet një mundësi të mëtejshme për të forcuar marrëdhëniet që kemi ndërtuar në kohën e kaluar, falë edhe angazhimit të komunitetit kosovaro-shqiptar në zonën tonë. Binjakëzimi me Klinën, të cilin e kujtuam sot, i ka dhënë një dimension institucional lidhjeve tashmë të forta midis njerëzve dhe komuniteteve."
Kryetari i komunës përfundoi fjalimin e tij duke i kushtuar vëmendje përvjetorëve të ardhshëm të komunitetit: "Në pritje të festës së Ditës së Flamurit më 28 nëntor, do të doja gjithashtu t'i shprehja, në emër të administratës bashkiake, urimet e mia më të mira të gjithë komunitetit kosovaro-shqiptar në zonën tonë dhe në zonën e Trevisos, me të cilët kemi një rrugë miqësie, dialogu dhe bashkëpunimi për vite me radhë."
Ambasadorja e Republikës së Kosovës në Itali zonja Nita Shala falenderoi kryetarin për mikpritjen e tyre si dhe shprehu kënaqësinë e saj për sukseset integruese të komunitetit shqiptar në Itali e sidomos në zonën e Trevisos ku qe dy vite është hapur edhe Zyra mobile e Konsullatës së përgjithshme të Milanos për t’iu gjetur sa më afër kërkesave dhe nevojave të qytetarëve tonë. Ajo shprehu gatishmërinë e përfaqësuesve të institucioneve diplomatike për të zgjeruar bashkëpunimin dhe thellimin e raporteve tashmë të konsoliduara mes qytetarëve dhe shteteve tona.
Gjatë mëngjesit, autoriteteve diplomatike iu prezantuan edhe tabelat rrugore ku krahas emrit të qytetit të Quinto di Treviso shkruan edhe teksti për binjakëzimin me komunën e Klinës nga Kosova.Ato së shpejti do të instalohen në kufijtë komunalënë hyrje dhe dalje të qytetit.
Edhe kryetari i provincës së Trevisos, Marco Denadel foli me dashamirësi për raportet konstruktive të mirëndërtuara me këtë komunitet i cili është vlerë e shtuar pozitive në mozaikun e përbërë nga 94 komunat e kësaj province që është një nga provincat më të pasura në Itali dhe Europë. Komuniteti kosovar ka arritur të jetë edhe si pikë referimi për vlerat integruese si dhe produktivitetin e firmave kosovare që përfaqësojnë përqindje me vlerë në rritjen e produktivitetit dhe projekteve ndërmarrëse në këtë territor.
Gjithashtu në takim ishin të pranishëm edhe përfaqësues të komunitetit kosovaro-shqiptar të Marca-s, përfshirë sipërmarrës të suksesshëm anëtarë të kryesisë së shoqatës si dhe veprimtarë të dalluar në jetën shoqërore dhe kulturore lokale prej kohësh si psh: Albert Bashota, Sabit Bashota, Smail Gashi, Murat Bytyçi, Shefqet Gashi, Ramadan Rukolli, Ramiz Gashi,etj. Përfshirë edhe voglushët Rozën dhe Blinin si përfaqësues të brezit të tretë të lindur në Itali.
Ky takim i rëndësishëm institucional është mundësuar gjithashtu falë bashkëpunimit të veprimtarit të dalluar Bajram Deskut, kryetar i Shoqatës Kulturore "Shën Nënë Tereza" të Quinto di Treviso dhe udhëheqës i komunitetit lokal kosovaro-shqiptar, ishte edhe një rast i mirë për të konsoliduar marrëdhëniet institucionale dhe për të forcuar lidhjet suksesshme të krijuara gjatë viteve midis dy komuniteteve.
Ky proces u shpreh konkretisht edhe në binjakëzimin midis Quinto di Treviso dhe qytetit të Klinës në Kosovë, nga i cili ka prejardhjen një pjesë e konsiderueshme e komunitetit kosovaro-shqiptar që banon në këtë komunë të Italisë veriore.
Bajram Desku foli për miqësinë e krijuar mes komunitetit dhe banorëve vendas si dhe respektin e ndërsjellë. Duke përmendur vargun e bashkëpunimeve dhe projekteve të realizuar ai tha se do të vazhdojnë të krijojnë mundësi të reja për vizita tjera të institucioneve italiane në Kosovë ku janë mirëpritur me nderim sipas traditës sonë.
Më pastaj kryetari Durigon ftoi të merr fjalën edhe veprimtarin Gëzim Muçolli i cili falenderoi për mikpritjen dhe paraqiti para dy kryetarëve dhe administratës komunale propozim-kërkesën për ruajtjen e trashëgimisë artistike të veprave Paolo Kampsa, artistit të madh të Venetos me origjinë shqiptare që nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë. Atë sot, kritikët ndërkombëtarë të artit e konsiderojnë si skulptorin më të madh të drurit të Rilindjes Venedikase
Ky propozim është elaboruar nga studimet e ekspertes veneciane të historinë mesjetare të Shqipërisë dhe Venedikut, profesoreshës Luçia Nadin, në bashkëpunim me aktivistët kulturorë Dr. Valdete Llumnica-Muçolli dhe Dr.Gëzim Muçolli nga Padova, dhe aty i propozohet kryetarit të bashkisë Quinto di Treviso, Ivano Durigon, dhe famullitarit të Quinto di Treviso Doon Stefano Bressan që të bashkëpunojnë dhe të sigurojnë ndonjë projekt për restaurimin, ruajtjen dhe promovimin e veprave të Paolo Campsa-s dhe t'i japin publikut qasje dhe mundësi për të vizituar veprat e bukura të Rilindjes të krijuara nga duart e shqiptarit Paolo Campsa-s.
Pas shkëmbimit të dhuratave institucionale, mikpritësit nga komuna e Quinto di Treviso organizuan një koktej rasti ku u bisedua lirshëm për aspekte të ndryshme të bashkëpunimit me Kosovën.
Diplomatët kosovarë të shoqëruar nga kryetari Bajram Desku dhe anëtarë tjerë të kryesisë së shoqatës “Shën Nëna Tereze” vizituan shtatoren e bronxtë të shenjtores shqiptare në sheshin me të njëjtin emër në hyrje të qytetit para se të shkonin në drekë të përbashkët te Restoranti i mirënjohur “Al Volo” i veprimtarit dhe sponsorit Imer Berishës në afërsi të aeroportit të Trevisos “Antonio Canova”ùnë një ambient mjaft familjar me meny të pasur edhe me ushqime nga tradita shqiptare.
Poashtu ata vazhduan rrugën deri te selia e Zyrës mobile të Konsullatës së Përgjithshme të Milanos në Trevizo, ku konsulli i ri u njohtua me vendin dhe kushtet e punës.
Pasdite duke filluar nga ora 16, filloi programi kulturor-artistik i përgatitur nga shoqata shqiptare mikpritëse. Aty publikut iu drejtua në emër të komunitetit shqiptar kryetari Bajram Desku i cili foli për rëndësinë historike të festës së Flamurit dhe mesazhin e bashkimit kombëtar që përcjell ajo qe 114 vjet qysh nga shpallja e Pavarsisë në Vlorë.
E ftuar para publikut, ambasadorja kosovare Nita Shala ndau gëzimin e saj që ndodhet në mesin e mërgimtarëve që përfaqësojnë shkëlqyeshëm vlerat e vërteta kulturore dhe patriotike të popullit shqiptar, duke iu uruar festën e pavarsisë kombëtare uroi që të vazhdojnë sukseset e mërgimtarëve tonë në Treviso dhe në Itali. Ajo tha se ambasada dhe konsullata jonë do të jenë përkrah mërgatës tonë për ti përkrahur në çdo moment.
Programi festiv i moderuar me sukses nga Blerina Kryeziu, vazhdoi me vallet e nxënësve të Shkollës shqipe në Quinto të udhëhequr nga maestro Muamer Murtezani, të cilët befasuan me nivelin e lartë artistik, me shkathtësinë, dinamizmin dhe ritmikën e tyre të gjallë duke bartur emocione dhe mesazhin e qartë se tradita do të vazhdojë.
Mysafirët i uruan me këngë patriotike edhe artistët e mirënjohur Gjin Shani dhe Gjelosh Hajdari të shoqëruar edhe nga vëllezërit Imer dhe Ali Kurti, të cilët shpalosën para publikut me vokalin e tyre elementet e dalluara të historisë dhe kujtesës së luftës për liri dhe pavarësi të kombit shqiptar.
Programi pastaj vazhdoi me valle të bukura me motive nga të gjitha krahinat shqiptare.
Në përfundim të ditës festive me aktivitet diplomatik dhe kulturor në shënim të përvjetorit të 114 të pavarsisë së Shqipërisë, kryesia e Shoqatës Kulturore “Shën Nëna Terezë” në bashkëpunim me veprimtarët e saj, afaristë të dalluar në bizneset e tyre të sukseshme, në restorantin “da Michele” të veprimtarit dhe afaristit Bedri Suka, shtruan darkë solemne për diplomatët tonë, artistët, mysafirët dhe veprimtarët e sukseshëm që kanë kontribuar për sukseset e pandalshme të mërgatës sonë.

