Tragjedi në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare në aksident, plagosen tre të mitur! Vajza në gjendje të rëndë

Diaspora

Tragjedi në Itali, humb jetën 31-vjeçarja shqiptare në aksident, plagosen tre të mitur! Vajza në gjendje të rëndë

Më: 22 nëntor 2026 Në ora: 22:17
Fotoilustrim

Një aksident i rëndë rrugor i ka marrë jetën 31-vjeçares shqiptare Emanuela Shahini në Itali. Ngjarja tragjike ndodhi mesditën e së dielës, më 22 nëntor, në zonën Villanova të Prata di Pordenone.

Sipas mediave italiane, automjeti me të cilin udhëtonte e reja ka dalë nga kontrolli në një rrugë të lagur nga reshjet e shiut, është përplasur me një shtyllë betoni dhe më pas është përmbysur.

Në makinë ndodheshin edhe tre të mitur, të moshave 8, 11 dhe 15 vjeç, të cilët dyshohet se po udhëtonin drejt një feste ditëlindjeje. Dy prej tyre ishin fëmijët e 31-vjeçares.

Emanuela Shahini u transportua me helikopter drejt spitalit të Pordenones, por pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra. Ajo ndërroi jetë rreth orës 12:30, afërsisht një orë pas aksidentit.

Vajza 15-vjeçare në gjendje të rëndë

Tre të miturit që ndodheshin në automjet mbetën të plagosur. Vajza 15-vjeçare e viktimës, sipas raportimeve të mediave italiane, kishte pësuar dëmtime të rënda dhe kishte pasur nevojë për reanimim në vendngjarje.

Ajo u transportua me urgjencë në spitalin Santa Maria degli Angeli në Pordenone. Sipas informacioneve paraprake, ndonëse gjendja e saj është e rëndë, nuk ndodhet në rrezik për jetën.

Dy të miturit e tjerë, përkatësisht 8 dhe 11 vjeç, u dërguan në spitalin e Udines për të marrë trajtimin e nevojshëm.

Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës me helikopter, autoambulanca dhe automjet mjekësor, si dhe zjarrfikësit, të cilët ndërhynë për nxjerrjen e të plagosurve nga makina. Karabinierët po kryejnë hetimet për të përcaktuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.

Mesazhi prekës i kryetares së bashkisë

Lajmi për vdekjen e 31-vjeçares ka tronditur komunitetin e Prata di Pordenones. Kryetarja e bashkisë, Katia Cescon, shprehu ngushëllimet për familjen e viktimës përmes një mesazhi publik.

“Në emrin tim dhe të gjithë administratës bashkiake, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen e Emanuelës për këtë tragjedi të madhe.

Një nënë e re, e marrë shumë herët nga jeta. Mendimet tona më të përzemërta dhe solidariteti shkojnë për fëmijët e saj dhe të gjithë të afërmit, të cilëve u qëndrojmë pranë në këtë moment dhimbjeje të papërshkrueshme”, thuhet në mesazhin e saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat