Nju Jork, 20 nëntor 2026. Shoqata e Arsimtarëve Shqiptaro-Amerikanë solli në skenë një mbrëmje të veçantë muzikore, ku u ndërthurën në harmoni të plotë muzika e lehtë, popullore dhe klasike, shqiptare dhe e huaj. Publiku i pranishëm pati mundësinë të shijojë interpretime të nivelit të lartë nga katër emra të njohur të artit shqiptar: pianisti Genc Tukiçi, klarinetisti Igli Tuga, baritoni Kreshnik Zhabjaku dhe sopranoja Dëshira Ahmeti Kërliu.
Ngjarja mblodhi një audiencë të gjerë dhe të përzgjedhur, ku të pranishëm ishin diplomatë, gazetarë dhe aktivistë të njohur të komunitetit shqiptar dhe amerikan, të cilët përshëndetën këtë iniciativë kulturore që forcon lidhjet mes dy komuniteteve.
Përmes kësaj nisme, Albanian American Educators Association, me Drejtore Ekzekutive Jacqueline Kapaj Vieira, e lindur në Amerikë, me origjinë nga Shkodra nga prindërit, të cilët ishin arratisur nga Shqipëria në vitin 1959, së bashku me dy fëmijët e tjerë të vegjël në atë kohë.
por e lindur, e rritur dhe e shkolluar në Amerikë, jo vetëm pasuroi jetën kulturore të diasporës, por krijoi edhe një hapësirë të rëndësishme takimi mes artit, diplomacisë dhe përfaqësuesve të komunitetit shqiptaro-amerikan.
Tradita e organizimit të koncerteve të këtij niveli nga Albanian American Educators Association vijon me të njëjtin përkushtim, duke sjellë në skenë artistë të spikatur nga të gjitha trojet shqiptare. Programi i mbrëmjes u konceptua si një urë lidhëse mes trashëgimisë kulturore shqiptare dhe repertorit ndërkombëtar, duke dëshmuar edhe një herë fuqinë bashkuese të artit në promovimin e vlerave tona në SHBA.
Më poshtë po citojmë një portretizim të shkurtër të artistëve shqiptarë:
Genc Tukiçi, pianist-koncertist dhe kompozitor franko-shqiptar, i formuar në Konservatorin e Tiranës dhe në École Normale de Musique de Paris. Ai njihet për stilin e tij të rafinuar, veprat origjinale, bashkëpunimet ndërkombëtare dhe aktivitetin e tij të gjerë si solist dhe pedagog.
Igli Tuga, klarinetist shqiptar me përvojë të pasur skenike në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, i vlerësuar për talentin e tij të veçantë në muzikën klasike, popullore, xhaz dhe zhanre të tjera, si dhe për angazhimin e tij në ansamble dhe projekte të ndryshme muzikore.
Kreshnik Zhabjaku, bariton i njohur me karrierë të spikatur operistike dhe koncertale në Shqipëri, SHBA dhe më gjerë, i shkolluar në Akademinë e Arteve në Tiranë dhe në Mannes College of Music në Nju Jork, me interpretime në role kryesore operistike dhe gala koncerte.
Dëshira Ahmeti Kërliu, soprano me përvojë të gjerë në repertorin klasik dhe operistik, e cila ka interpretuar në skena të rëndësishme të rajonit dhe më tej, duke sjellë në skenë finesë vokale dhe prezencë të spikatur skenike.
Gjatë veprimtarisë, punën dhe misionin e shoqatës i prezantoi Jacqueline Kapaj Vieira, ndërkohë që Lucrezia Lindia dhe Nereida Katrini (anëtare të bordit) ndanë detaje mbi organizimin e koncertit me artistët shqiptarë.
Programi i koncertit ndërthuri me elegancë kryevepra të repertorit klasik botëror me perla të muzikës shqiptare, duke përcjellë jo vetëm vlera të larta artistike, por edhe krenari e identitet kombëtar në zemër të diasporës shqiptaro-amerikane.
Në përfundim të mbrëmjes, duartrokitjet e zgjatura dhe ovacionet e publikut dëshmuan edhe një herë se kur mjeshtrat e artit shqiptar bashkohen në skenë, muzika kthehet në një urë të fuqishme emocioni, kulture dhe frymëzimi për komunitetin.