Vllaznia e vetme në krye

Futboll

Vllaznia e vetme në krye

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 15:55
Vllaznia e vetme në krye

Java e 6-të e Superiores startoi mbrëmë, me derbin e madh të kryeqytetit, që u mbyll në barazim pa gola. Sot, u luajtën edhe dy sfida të tjera të këtij “stacioni” të kampionatit, duke vulosur kreun. Vllaznia, me fitoren 1-0 ndaj mallakastriotëve, e sheh veten tashmë e vetme në krye, me dy pikë më shumë se Partizani. Pra, të paktën deri në ndeshjet e javës së 7-të, skuadra shkodrane do t’i shohë të gjithë pas vetes.

Në “Loro Boriçi” ka vendosur goli i Imamit, në minutën e 51-të, teksa kuqeblutë nuk janë drejtuar nga Thomas Brdaric, i cili ka qenë me ethe dhe ka qëndruar në shtëpi, me dyshimet për prekje nga Covid-19.

Laçi thuajse kalon nga “parajsa” në “ferr”, shumë shpejt. Pas fitores tenistike në shtëpi me Apoloninë, kurbinasit, të drejtuar nga Stavri Nica, për pak kanë “thyer kokën” në Korçë. Përballë Skënderbeut me të rinj, bardhezinjtë kanë dështuar në momentin kur duhej ta kthenin fytyrën nga kreu, të merrnin 3 pikë.

Nderin e tyre e ka shpëtuar Harmon, me golin e barazimit “in extremis”, pikërisht në minutën e dytë shtesë.

Shumë investime nga presidenti Laska, por pak produkt, çka i “hëngri kokën” më herët Armando Cungut. Për kuqebardhët realizoi Mara, në minutën e 71-të. Kujtojmë se sipari i kësaj jave do të ulet po sot, me dy sfidat përmbyllëse, Teuta-Kastrioti dhe Kukësi-Apolonia, me start orën 16:45.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat