Tirana rigjen stabilitetin

Futboll

Tirana rigjen stabilitetin

Më: 16 dhjetor 2020 Në ora: 18:11
Tirana rigjen stabilitetin

S’ka dy pa tre dhe Tirana shpreson ta vërtetojë në takimin e radhës me Skënderbeun, që vjen pas dy fitoreve radhazi. 6 pikë që kanë ndryshuar klasifikimin dhe humorin bardheblu me Nevil Deden që pas gjetjes së kthesës, ka si synim krijimin e vazhdimësisë.

Trajneri pati një fillim të vështirë në epokën e tij të tretë në stolin bardheblu, të kushtëzuar mbi të gjitha nga mungesat e shumta. Pikërisht rikthimi i titullarëve ka rezultuar një faktor vendimtar që Tirana të kthehej te suksesi, sepse bëhej fjalë për emra me peshë që duhej të gjenin gjendjen optimale për të dhënë kontributin e duhur, Ismailgeci, apo dhe një Batha e Torasa që gjetën formën më të mirë.

Me ta Dede ia ka dalë të gjejë fitoret, duke i dhënë njëkohësisht skuadrës një fizionomi të qartë dhe një stabilitet për sa i përket formacionit. Të tre vendimtarë në sukseset ndaj Laçit dhe Apolonisë, janë elementë të rëndësishëm të një skuadre që më në fund funksionon, duke ulur dozën e improvizimeve të kushtëzuara nga mungesat.

Nëse në ndeshjet e para me Deden në stol ndryshimet ishin të shumta, në takimet e fundit trajneri ja ka dalë të ndërtojë një formacion tip, natyrisht me ndonjë prekje të vogël edhe në bazë të karakteristikave të kundërshtarit, me Tiranën që në këtë mënyrë po ndërton stilin e saj të lojës të diktuar nga tekniku 45-vjeçar.

Dede natyrisht pret edhe lojtarë të tjerë të rëndësishëm, Celhakën apo edhe Elton Kale, dy futbollistë të blinduar në formacion sezonin e kaluar dhe që pritet të jenë sërish zgjedhje të parë falë kualitetit që disponojnë, por deri atëherë Tiranës së tij i duhet te vazhdojë marshin e rezultateve pozitive, me ndryshime apo jo, ata gjithmonë bashkë me fanellën bardheblu do të kenë mbi vete peshën e detyrës për të dalë kampionë.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat