Vllaznia pret Skënderbeun

Futboll

Vllaznia pret Skënderbeun

Më: 27 dhjetor 2020 Në ora: 13:27
Vllaznia pret Skënderbeun

Të 10 skuadrat e Kategorisë Superiore do të zbresin sot në fushë për të zhvilluar ndeshjet e javës së 11, teksa sfidat do të luhen në dy fasha orare, tre prej të cilave në 13:45 dhe dy të tjera në orën 16:45.

Kështu në “Loro Boriçi” Vllaznia kryesuese do të presë Skënderbeun e parafundit në renditje, me synimin për të marrë një tjetër fitore dhe për të siguruar vendin e parë për vitin 2020.

Shkodranët po kalojnë një moment mjaft të mirë dhe sot trajneri Brdaric do të ketë në dispozicion edhe emra si Krymi e Imami, të cilët munguan në transfertën ndaj Apolonisë për shkak të plotësimit të numrit të kartonëve.

Pas dy fitoreve radhazi në shtëpi, fillimisht ndaj Vllaznisë e më pas ndaj Bylisit, Laçi do të kërkojë një sukses të tretë sot, pasi do të përballet me Kastriotin në stadiumin e Kamzës. Ky pritet të jetë një test mjaft i vështirë për djemtë e Shpëtim Duros, pasi krutanët janë një skuadër agresive, që japin maksimumin, sidomos në shtëpinë e tyre.

Një tjetër sfidë interesante është edhe ajo që do të zhvillohet në stadiumin “Adush Muça” mes Bylisit vendas dhe Apolonisë. Një mini-derbi shumë i rëndësishëm për të dy skuadrat, që këtë sezon duket se do të luftojnë për mbijetesë, teksa edhe në renditje janë në zonën e ftohtë dhe me vetëm 3 pikë diferencë nga njëra-tjetra.

Në orën 16:45 do të jetë radha e dy sfidave më të rëndësishme të javës, përballjes mes Partizanit dhe Kukësit në stadiumin “Elbasan Arena” dhe ndeshjes mes Teutës e Tiranës në stadiumin “Niko Dovana” të Durrësit.

Kështu “të kuqtë” e drejtuar nga Ilir Daja vijnë pas fitores 2-0 ndaj Kastriotit dhe sot do të kërkojnë një tjetër sukses, ndonëse përballë do të kenë një kundërshtar direkt si Kukësi, që drejtohet nga një ish i Partizanit si Skënder Gega.

Pas një merkatoje të bujshme në emra dhe të shumtë në numra, verilindorët po arrijnë gradualisht harmonizimin e ekipit dhe po tregojnë rritje nga java në javë, gjë që e shfaqën edhe të mërkurën ndaj Tiranës, ku i shkuan shumë pranë fitores.

Ndërkohë në Durrës, Teuta do të kërkojë fitoren e tretë radhazi në kampionat, pas sukseseve ndaj Apolonisë e Skënderbeut, teksa përballë do të ketë një kundërshtar si Tirana, të cilën e ka mposhtur thuajse në të gjitha përballjet e fundit direkte.

Bardheblutë e Dedes po kalojnë një moment të vështirë për shkak të dëmtimeve të disa prej titullarëve, megjithatë mbeten kampionët në fuqi dhe për këtë arsye të tre rezultatet janë të pritshme në “Niko Dovana”.

Të gjithë sfidat Kategorisë Superiore do të transmetohen ekskluzivisht në ekranin e Supersport, ashtu si emisioni “Gol pas Goli”, ku të ftuarit gazetarë dhe analistë do të bashkëbisedojnë me protagonistët menjëherë pas përfundimit të ndeshjeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat