Sfidë drithëruese Arsenal - Manchester Utd

Futboll

Sfidë drithëruese Arsenal - Manchester Utd

Më: 30 janar 2021 Në ora: 11:24
Sfidë drithëruese Arsenal - Manchester Utd

Ecuria prej 13 ndeshjesh radhazi pa humbje e Manchester United në Premier League u mbyll në mesjavë brenda në Old Trafford, pas disfatës me Sheffield United, sidoqoftë kohë për pendesë nuk ka dhe “djajtë e kuq” duhet të bëhen menjëherë gati për sfidën e radhës.

Bëhet fjalë për një klasike të futbollit anglez, pasi të shtunën në mbrëmje “red devils” do të vizitojnë Arsenalin në Londër, në një ndër ndeshjet që ndihet më tepër nga fansat e shumtë të këtyre dy klubeve. Rivalitetin më të egër në histori klubi i United e ka patur me klube si Liverpool, Arsenal, City dhe Leeds, megjithatë gjatë kohës së trajnerit të famshëm francez Arsene Ëenger rivaliteti ndërmjet tyre u ngjit në nivele të tjera, të pakrahasueshme me situatën aktuale.

Kohët kanë ndryshuar dhe si Manchester United ashtu edhe Arsenali kanë humbur vërtet shumë nga shkëlqimi i dikurshëm, por gjithsesi pavarësisht vështirësive të mëdha, ngjeshjes së kalendarit si dhe humbjeve të rënda në aspektin financiar për shkak të pandemisë së koronavirusit drejtuesit respektivë po bëjnë çmos për t’i rikthyer sërish klubet e tyre në majat e futbollit anglez.

Sundimi i “djajve të kuq” me trajnerin skocez Alex Ferguson ka marrë fund që nga viti 2013 dhe në njëfarë mënyre duket sikur ka ndryshuar edhe historia e përballjeve ndërmjet tyre. Ndonëse po vuajnë ndjeshëm në kampionat dhe renditen vazhdimisht poshtë klubit të Manchester United, futbollistëve të Arsenalit duket sikur iu ka dalë frika dhe “topcinjtë” numërojnë plot 5 ndeshje pa humbje në Premiership, në përballjet ndërmjet tyre. Mbi të gjitha Mikel Arteta ka fituar dy sfidat e fundit ndaj norvegjezit Ole Gunnar Solskajer, ndërsa Arsenali krenohet me 3 fitore në 4 ndeshjet e fundit ndërmjet tyre në kampionatin anglez.

Humbja e papritur me Sheffield United për më tepër brenda në “Teatrin e Ëndërrave” erdhi si një dush i ftohtë për rekordmenët e Premier League-s. Ekipi i drejtuar nga Chris Wilder kishte grumbulluar vetëm 5 pikë gjithsej përpara atij takimi, megjithatë “blades” ia dolën mbanë për të marrë plot 3 brenda në Old Trafford, ku klubi nga Jorkshiri Jugor kishte që nga viti i largët 1973 që nuk fitonte në kampionat.

Sheffield United kishte shënuar më tepër se një herë gjatë këtij sezoni në kampionat vetëm në një rast, e si për ironi të fatit bëhet fjalë për duelin e fazës së parë në Bramall Lane, ku muajin e kaluar “djajtë e kuq” gjithsesi ia dolën të fitojnë me rezultatin e ngushtë 3-2. Një humbje që dhemb, pasi ekipi vinte pas triumfit në shtëpi në derbin e Anglisë me Liverpulin në FA Cup, sidoqoftë për fatin e mirë të “red devils” takimi me Arsenalin do të luhet jashtë fushe, ku United krenohet me plot 17 ndeshje radhazi pa humbje.

Ekipi i drejtuar nga trajneri nordik konsiderohet me të drejtë si më i miri, përsa i përket ndeshjeve jashtë fushe. Ndeshja luhet sonte në orën 18.30 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat