Mancini: Në pjesën e parë ishim perfektë

Futboll

Mancini: Në pjesën e parë ishim perfektë

Më: 26 mars 2021 Në ora: 11:25
Mancini: Në pjesën e parë ishim perfektë

Italia e Roberto Mancinit i nisi në mënyrën më të mirë kualifikueset e Kupës së Botës, Katar 2022, kompeticion në të cilin kaltrit do të kërkojnë të jenë të pranishëm me të gjitha mënyrat pasi nuk duan të përsërisin më dështimin e Rusi 2018, me Italinë që u eliminua në play-off nga Suedia duke mos siguruar dot pjesëmarrjen në Kupën e Botës.

Për të mos bërë një figurë aq të keqe Mancini e ka të qartë që kombëtarja që ai drejton duhet ta mbyllë grupin C kualifikues ku bën pjesë edhe Zvicra në vendin e parë në mënyrë që të sigurojë kualifikimin direkt në Botëror.

Ndaj Irlandës Veriut në ndeshjen debutuese në këto eliminatore, Italia zgjidhi gjithçka që në pjesën e parë duke marrë një fitore të thjeshtë 2-0 me golat e Berardit dhe Immobiles. Vetë trajneri i të kaltërve foli me superlative për paraqitjen e skuadrës së tij sidomos në pjesën e parë.

“Pjesa e parë ishte e shkëlqyer. Pjesën e dytë do e shohim përsëri me kujdes, pasi mendoj se mund të bënim më mirë. Gjithsesi pranohet duke llogaritur që kemi pesë muaj pa luajtur.

Fraksioni i parë i ndeshjes ishte perfekt. Shënuam dy gola, mund të shënonim edhe dy të tjerë dhe e qarkulluam shpejt topin.

Pellegrini dhe Locatelli zhvilluan një ndeshje të mirë. E dinim që Irlanda e Veriut do të bazohej te forca fizike, kjo ishte pika ku donin të na vinin në vështirësi. Jemi të lumtur për golin e Immobiles, mund të shënonte një tjetër gol. Golat janë të rëndësishëm për sulmuesit, Ciro zhvilloi një ndeshje shumë të mirë. Tani vëmendja shkon te Bullgaria pasi synojmë vendin e parë në grup”.

Ndeshjen e radhës Italia do ta ketë të dielën ndaj Bullgarisë në transfertë aty ku djemtë e Mancinit do të kërkojnë tre pikët e radhës për të qëndruar në krye të grupit C, pozicion që duhet ta diskutojnë deri në fund të fushatës kualifikuese me Zvicrën e Shaqirit dhe Xhakës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat