Shehi flet para sfidës me Teutën

Futboll

Shehi flet para sfidës me Teutën

Më: 23 prill 2021 Në ora: 11:24
Shehi flet para sfidës me Teutën

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi, foli para ndeshjes ndaj Teutës, që skuadra e tij do të zhvillojë ditën e nesërme në orën 16:00. Në konferencën për shtyp para gazetarëve, tekniku durrsak i skuadrës bardheblu, vlerësoi maksimalisht kundërshtarët, teksa u shpreh:

GJENDJA E SEFERIT- Mendoj që gjendja e Taulanti është e mirë, vetëm ditët e para nuk është stërvitur, pastaj 3 ditët e fundit, duke përfshirë edhe këtë të sotmen, do të jetë në fushë për të qenë i gatshëm për ndeshjen e nesërme.

PENGU NGA NDESHJA E PARË ME TEUTËN- Me kushtet që jemi dhe me këtë pandemi që kaluam, mendoj që do të na prekte të gjithëve. Në atë ndeshje isha unë fatkeq që më preku, nuk kam qenë në stol. Është tjetër ndjesi kur je në stol dhe tjetër ndjesi kur e shikon ndeshjen nga televizori. Është një ndeshje që jo vetëm mua, por të gjithë skuadrën e karikon, sepse luajmë kundër vendit të parë.

NDJESIA E VEÇANTË NDAJ TEUTËS- Kam një karrierë të gjatë, me kaq vite mbi supe. Sigurisht që do të përballesh edhe me ekipe që je rritur ose ke qenë pjesë e tyre. Një farë nostalgjie është, por ne jemi profesionistë dhe nuk ndikohemi fare përballë kujt skuadre luajmë. Do përpiqemi të bëjmë më të mirë, jemi pjesë e Tiranës, dhe do të japim maksimumin.

TEUTA, MBROJTJA MË E MIRË E KAMPIONATIT- Unë mendoj që është skuadër e mirë, shifrat i japin të drejtë sepse janë në vend të parë. Skuadër që do vlerësim maksimal dhe ka lojtarë cilësorë. Është skuadër hermetike, por ne do të bëjmë maksimumin për të dalë te loja jonë për të tentuar të marrim maksimumin nga kjo ndeshje, sepse pikët i kemi mjaft të domosdoshme.

GJYSMA E KAMPIONATIT BËN TIFO PËR TIRANËN- Ne duhet të bëjmë tifo për veten tonë, sepse personalisht mendoj që mund të merrnim më shumë në këto 2 takime që kaluam. Futbolli ka pjesë edhe fatin. Shpresoj që fatin ta kemi nesër me vete. Duhet të jemi të përqendruar vetëm te puna jonë, pa parë në asnjë moment anash, majtas, djathtas, para, mbrapa.

VENDI I TRETË- Javët sa vijnë edhe pakësohen.

Pas ndeshjes me Kukësin, mërzia ishte e madhe. Kur jep maksimumin, kur e meriton ta fitosh ndeshjen, por nuk e fiton, pikët të vendosin në vështirë për objektivat. Ka shumë javë në lojë. Ne jemi brenda objektivave, do t’i kërkojmë që këto objektiva t’i kapim ndeshje pas ndeshje. Duhet të jemi te performanca e mirë si ndaj Kukësit, po me një ndryshim, që të kemi dhe fati nga ana jonë.

SEZONI I ARDHSHËM – Kemi bërë punë të mirë, e gjithë skuadra ka punuar shumë mirë, kemi marrë rezultate deri diku të mira. Skuadra nuk ka limite, mendon gjithmonë për më shumë, në ndeshjet që s’kemi marrë pikët e plota kemi merituar më shumë. Do të tentojmë të marrim maksimumin, duke qenë në ekuilibër. Shpresojmë që detajet e vogla t’i vlerësojmë më shumë”, u shpreh Shehi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat