Arsenal mëton kualifikimin

Futboll

Arsenal mëton kualifikimin

Më: 6 maj 2021 Në ora: 13:14
Arsenal mëton kualifikimin

Vetëm një javë më pas në Europa League rikthehen ndeshjet e fazës gjysmëfinale dhe duke patur parasysh rezultatet e sfidave të para Manchester United nuk pritet të ketë shumë vështirësi ndaj Romës, për të administruar gjithë atë avantazh që mori nga takimi i vajtjes.

“Djajtë e kuq” janë me një këmbë në finalen e 26 majit, ndërkaq klubi i dytë që do të fitojë të drejtën për të luajtur në “Stadion Miejski” të Gdanskut do të dalë nga dueli Arsenal–Villarreal.

Akti i parë u mbyll me shifrat 2-1 në favor të “nëndetëses së verdhë”, por “topçinjtë” duhet të ndihen vërtet me shumë shumë fat që u kthyen në ishull me një pasiv të tillë. Në “Estadio de la Ceramica” vendasit dominuan pjesën e parë dhe shënuan dy herë pa u mbushur as gjysmë ore lojë, me anë të futbollistëve Manuel Trigueros dhe Raul Albiol. Skuadra e Artetës krijoi fare pak në fraksionin hapës dhe ekipi londinez e mbylli pjesën e parë me vetëm tre tentativa gjithsej, por gjithsesi asnjëra prej tyre nuk përfundoi në kuadrat.

Ekipi i Arsenalit u reduktua dhe luajti me 10 lojtarë, pas kartonit të dytë të verdhë të marrë në 57’ nga mesfushori Dani Ceballos, sidoqoftë vendasit nuk ditën të përfitojnë, madje autorët e dy asisteve Chukwueze dhe Gerard Moreno shpërdoruan mundësi vërtet shumë të mira për të kryesuar me tre gola diferencë. Gjithçka ndryshoi në 71’, pas 11-metërshit absurd të vërshëllyer nga kryesori portugez Artur Soares Dias, që bëri me shenjë drejt pikës së bardhë, duke pretenduar se Manuel Trigueros ndërhyri në mënyrë të parregullt në dëm të 19-vjeçarit Bukayo Saka. Protestat e shumta të futbollistëve të Villarrealit si dhe trajnerit të mirënjohur Unai Emery nuk ndryshuan asgjë dhe asistentët e arbitrit luzitan në Sistemin VAR lanë në fuqi vendimin e fushës, duke ndëshkuar keqas skuadrën spanjolle.

Nicolas Pepe falënderoi dhe përfitoi nga mundësia e dhënë, për të shndërruar penalltinë në gol, gjithsesi në fund pas daljes me karton të kuq të ish-mesfushorit të Tottenham-it Etienne Capoue forcat në fushë u ekuilibruan në numër, madje në minutën e katërt shtesë ekipi i Artetës shpërdoroi një mundësi të artë për të barazuar, me anë të sulmuesit Pierre – Emerick Aubameyang. Natyrisht 39-vjecari nga San Sebastiani u shfaq i kënaqur me rezultatin, duke patur parasysh rrjedhën e takimit, ndërkohë në krahun tjetër trajneri bask Unai Emery shpërtheu si vullkan, duke hedhur akuza të rënda mbi gjithë trupën e gjykimit. 49-vjecari nga Hondarribia deklaroi se skuadra e tij pësoi gol me penallti, nga një penallti që nuk ishte.

Çudia më e madhe ishte që asistentët e Sistemit VAR nuk e prapësuan vendimin e fushës, duke lënë në fuqi sinjalizimin e 41-vjecarit nga Porto, ndërsa presidenti i Villarreal-it, 73-vjeçari Francisco Roig vuri në dyshim Sistemin VAR, madje miliarderi valencian shkoi përtej duke thënë se është e kotë që të vazhdohet të paguhet për diçka që nuk funksionon. Çfarë ndodhi, iku e nuk kthehet më pas, kështu që “nëndetësja e verdhë” do t’i përqendrojë tani të gjitha forcat pikërisht te takimi i kthimit në kryeqytetin anglez. Unai Emery ka triumfuar 3 herë në Europa League radhazi, në drejtimin e Seviljes, kështu që trajneri bask ka gjithë eksperiencën e nevojshme për ta dërguar Villareal-in në finalen e parë në historinë e Kupave të Evropës.

Deri tani “nëndetësja e verdhë” ka dështuar në katër gjysmëfinalet e mëparshme, gjithsesi klubi spanjoll këtë herë do të udhëtojë drejt Londrës me synimin për të sulmuar dhe një gol i Villarreal-it do ta çonte në krizë ekipin e Arsenalit. Fitorja në St. James’ Park ndaj Newcastle United është e vetmja për “gunners” në katër sfidat e fundit në të gjithë kompeticionet, e me një ecuri të tillë ekipi i Artetës e ka të pamundur kualifikimin për në Kupat e Evropës, sezonin e ardhshëm, duke patur parasysh diferencën e 5 pikëve me Liverpulin, që ka gjithashtu edhe një ndeshje më tepër për të zhvilluar në Premiership-in Anglez. Në Emirates Arsenali numëron 5 ndeshje pa fitore dhe për herë të fundit “topçinjtë” brenda në shtëpinë e tyre kanë mposhtur në derbin e Londrës Veriore Tottenham-in.

Në Kupat e Evropës për herë të fundit në kryeqytet Arsenali ia ka dalë të përmbysë disavantazhin e takimit të parë pikërisht ndaj kundërshtarëve si Bate Borisov dhe Stade de Rennais, por gjithsesi këtë herë gjërat janë shumë më të ndërlikuara, duke patur parasysh njohjen e thellë që ka Unai Emery ndaj kontigjentit aktual të “topçinjve”, si ish-trajner i skuadrës londineze. Villarreali udhëton drejt ishullit pas plot nëntë fitoreve radhazi në këtë edicion të 12 të Europa League-s, në shtatë prej të cilave skuadra iberike ka realizuar minimalisht nga dy gola. “Nëndetësja e verdhë” ka fituar 5 nga 6 sfidat e fundit jashtë fushe në të gjithë aktivitetet, ndërkaq në këtë sezon, që përfaqëson edicionin e 50 të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm të Kupave të Evropës skuadra e drejtuar nga Unai Emery i ka fituar të gjitha ndeshjet, me përjashtim të takimit me Maccabi-n në Tel Aviv, që përfundoi në barazim 1-1.

Në takimin e fundit Mikel Arteta e përdori Granit Xhakën si mbrojtës të krahut të majtë, për shkak të problemeve të shumta, ndërkohë do të mungojnë David Luiz e Dani Ceballos, ndërsa Kieran Tierney dhe Alexandre Lacazette mbeten në dyshim. Në krahun tjetër përvec Vicente Iborra-s që mungon prej kohësh nuk do të jetë as Etienne Capoue, ndërsa mbrojtësi argjentinas Juan Foyth ka probleme fizike. Villarreali ka fituar katër ndeshjet e fundit jashtë fushe në Europa League pa pësuar as gol. “Nëndetësja e verdhë” ka dështuar për të kaluar turin vetëm një herë në 16 përballjet e fundit me eliminim të drejtpërdrejtë, pasi ka fituar takimin e parë në Kupat e Evropës, por sidoqoftë kjo gjë ka ndodhur në “Anfield”, ndaj Liverpulit të gjermanit Jurgen Klopp, në sezonin 2015-16.

Po në orën 21:00 në “Stadio Olimpico” Manchester United do të mbrojë epërsinë e ndeshjes së vajtjes me shifrat 6-2, ndaj Romës. “Djajtë e kuq” nuk pritet të hasin probleme në “Qytetin e Përjetshëm”, duke patur parasysh formën e shkëlqyer jashtë fushe në Premier League, 14 fitore e 10 barazime në 24 ndeshjet e fundit larg Stadiumit “Old Trafford”, si dhe çlodhjen e gjatë të skuadrës së drejtuar nga Ole Gunnar Solskjaer, që fundjavën e kaluar nuk e zhvilloi fare duelin me Liverpulin, apo qoftë edhe mungesat pa fund të verdhekuqve, që në gjysmëfinalen e kthimit nuk do të kenë në dispozicion lojtarë vërtet shumë të rëndësishëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat