Duka mori pjesë në Kongresin e 71-të të FIFA-s

Futboll

Duka mori pjesë në Kongresin e 71-të të FIFA-s

Më: 21 maj 2021 Në ora: 23:28
Duka mori pjesë në Kongresin e 71-të të FIFA-s

Është zhvilluar sot përmes video-konferencës Kongresi i 71-të i FIFA-s, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me zhvillimin e futbollit botëror dhe kompeticionet ndërkombëtare. Në këtë mbledhje mori pjesë edhe Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Kongresi u drejtua nga Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, i cili në fjalën e tij adresoi një mesazh inkurajimi për shoqatat anëtare të FIFA-s përmes video-konferencës sot ndërsa Kongresi i FIFA-s u mblodh në distancë për herë të dytë në histori.

Anëtarët e FIFA-s diskutuan raportin financiar të vitit të kaluar, problematikat e shfaqur për shkak të pandemisë Covid-19 si edhe buxhetin për vitin e ardhshëm, që u kaluan edhe për votim më pas.

Ndërkaq, gjatë mbledhjes së Kongresit u shqyrtua edhe propozimi për zhvillimin e Botërorit të futbollit çdo 2 vjet dhe jo 1 herë në 4 vjet. Presidenti Gianni Infantino duke folur në deklaratën për shtyp foli në lidhje me këtë çështje dhe theksoi se ky propozim do të merret në shqyrtim me kujdes.

“Kjo është një mënyrë e promovimit të futbollit, ne duhet të studiojmë se çfarë mund të bëjmë për të stimuluar futbollin dhe duhet të jemi mendjehapur. Ne duhet të shohim se si mund të përshtatet kjo ide në kalendarin ndërkombëtar dhe si do të organizohen ndeshjet kualifikuese. Tifozët duan të shohin më shumë ndeshje dhe turne të rëndësishëm, përparësia do të jetë sportive dhe jo thjesht komerciale”, – deklaroi Infantino.

Presidenti i FIFA-s tha se do të kryhej një studim për të rishikuar sistemet e kualifikimit për turnetë.

Gjatë mbledhjes online Presidenti Infantino ritheksoi edhe një herë se mbështetja e FIFA-s për komunitetin e futbollit do të vazhdojë më e fort se më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat