Bayern Munih nuk ka asnjë problem me mënyrën e veçantë të sjelljes së Michael Olises, pavarësisht paraqitjeve të tij që shpesh kanë shkaktuar diskutime në opinionin sportiv.
Presidenti i klubit bavarez, Herbert Hainer, gjatë mbledhjes vjetore të anëtarëve të Bayern Munihut, i kushtoi një mesazh të veçantë yllit francez, duke theksuar se klubi e vlerëson personalitetin dhe karakterin e tij.
“Michael, si person dua të të them diçka: ne preferojmë shumë më tepër dikë që shpreh veten me topin në këmbë sesa me mikrofonin përpara fytyrës”, deklaroi Hainer, duke marrë duartrokitje të fuqishme nga të pranishmit.
72-vjeçari shtoi se tifozët dëshirojnë personalitete autentike dhe karaktere të veçanta.
“Tifozët duan njerëz të vërtetë dhe karaktere të veçanta. Të uroj gjithashtu shërim të shpejtë. Mos lejo askënd të të ndryshojë! Qëndro ashtu siç je!”, u shpreh presidenti i Bayern Munihut.
Personaliteti i Olises që ndan opinionin
Olise ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen për intervistat e tij të shkurtra dhe përgjigjet e ftohta për mediat televizive. Imazhi i tij si “Mr. Nonchalant” ka ndarë opinionin e tifozëve dhe analistëve.
Edhe paraqitja e tij gjatë ditës së aktiviteteve të skuadrës së Bayern Munihut në gusht kishte shkaktuar diskutime, pasi në një sfidë ai la pas shokët e skuadrës Jonas Urbig dhe Lennart Karl pas rreth 30 sekondash.
Megjithatë, Hainer bëri të qartë se klubi nuk e konsideron këtë sjellje problematike.
Ai foli edhe për spekulimet e vazhdueshme rreth një largimi të mundshëm të futbollistit francez.
“Jam i bindur se Michael do të jetë kandidati i radhës për Topin e Artë, për të cilin do të na mungojnë superlativat. Jemi shumë të qetë për të gjitha thashethemet që lidhen me Michael. Ai ka kontratë deri në vitin 2029”, deklaroi Hainer.
Real Madridi vazhdon ta monitorojë situatën e Olises
Gjatë afatit kalimtar të verës, mediat raportuan vazhdimisht për interesimin e Real Madridit për transferimin e Olises.
Pas premtimit të presidentit Florentino Pérez për një përforcim të madh, në stilin e Cristiano Ronaldos, gjatë fushatës zgjedhore presidenciale, disa media spekuluan se objektivi i tij ishte pikërisht futbollisti 24-vjeçar i Bayern Munichut.
Së fundmi, edhe gazeta franceze “L'Équipe” raportoi se bashkëlojtarët e Olises në Kombëtaren e Francës, Kylian Mbappe dhe Ibrahima Konate, po përpiqeshin ta bindnin atë që t'i bashkohej Real Madridit.
Megjithatë, Bayern Munih nuk duket i gatshëm ta lejojë largimin e yllit të tij pa një arsye të fortë.
Klubi bavarez mund ta shqyrtojë mundësinë e shitjes vetëm nëse dështojnë bisedimet për vazhdimin e kontratës, e cila është e vlefshme deri në fund të qershorit të vitit 2029. Deri më tani nuk është caktuar një datë konkrete për këto negociata.
Në një intervistë për “t-online”, Hainer kishte deklaruar se shifrat prej 250 apo edhe 300 milionë eurosh nuk e shqetësojnë aspak.
“Më pëlqen të citoj Karl-Heinz Rummeniggen, i cili shpesh thoshte kur ishte drejtor ekzekutiv: Ne nuk jemi klub që shet, por klub që blen”, tha Hainer.
Ai theksoi se filozofia e Bayern Munihut nuk ka ndryshuar.
“Nuk duhet të shikosh gjithmonë vetëm aspektin financiar. Duhet të vlerësosh edhe nëse një futbollist përshtatet me ne, sa i përket stilit të lojës, personalitetit, karakterit dhe mënyrës se si është si njeri”.
Në fund, Hainer përsëriti se Olise ndihet mirë në Mynih dhe e di se çfarë ka te Bayern Munich.
Gjendja fizike e Olises, çfarë dihet?
Michael Olise ka vazhduar formën e shkëlqyer të sezonit të kaluar, kur regjistroi 22 gola dhe 31 asistime.
Edhe në sezonin aktual, francezi ka statistika mbresëlënëse: 12 gola dhe shtatë asistime në 16 paraqitje në të gjitha garat.
Megjithatë, në barazimin 1-1 ndaj Kölnit të premten, Olise nuk arriti të regjistronte gol apo asistim dhe u detyrua të largohej nga fusha në pushimin mes pjesëve për shkak të një lëndimi.
Bayern Munich më pas konfirmoi se 24-vjeçari ka pësuar një mavijosje në pjesën e përparme të shputës.
Herbert Hainer shprehu shpresën se rikthimi i tij do të jetë i shpejtë.
Ndërkohë, Harry Kane, i cili pësoi një dëmtim të ligamentit sindesmoz në ndeshjen kundër Kölnit, tashmë i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjikale.