Shorti i Ligës së Konferencës ka vënë sot Partizanin përballë klubit moldav të St. George Sureceni, një ekip që merr pjesë për të dytin vit radhazi në Europë, por që duket se kërkon të lërë shenjë, ashtu si në edicionin e kaluar.
Një vit më parë, në eksperiencën e parë në Ligën e Europës, moldavët kaluan në turin e parë bjellorusët e Shakhtior Soligorsk, ndërsa në të dytin u mundën 1-0 nga Partizani nga Beogradi. Por trajneri i St. George, Sergei Cebotari, deklaroi se nuk ekipi i tij do të provonte edhe këtë vit forcën e vet, edhe pse kishte përballë një skuadër të fortë.
“Mund të ishte më keq, mund të ishte edhe më mirë. Kemi përballë një kundërshtar të fortë me një nivel të mirë futbolli në vendin e tyre. Kohët e fundit ata kanë luftuar për titullin kampion ndaj nuk do të jetë e lehtë për ne. Do të provojmë fatin tonë edhe këtë vit.
Nuk mendoj se kemi të drejtë të kërkojmë apo presim diçka në veçanti nga shorti, do të luajmë me atë që na dhuron. Por nuk ka ekipe të kalueshme gjithsesi. Të gjithë janë të fortë, duhet të luash ndaj të gjithëve, duhet të dish të mbrohesh dhe të sulmosh me çdo gjë. Të analizojmë kundërshtarin dhe mendoj se do të përgatitemi mirë për ndeshjen e parë. Në parim, ka ende kohë”, theksoi ai.
I pyetur nëse zhvillimi i ndeshjes së parë në shtëpi ishte avantazh apo disavantazh, Cebotari theksoi se objektivi ishte të fitonte në shtëpi pa pësuar gol. “Është e vështirë të thuash… Gjëja kryesore është të fitosh në shtëpi pa pësuar dhe të ruash këtë avantazh në transfertë. Objektivi ynë është ky, ta shohim pastaj se si do të shkojë”, tha ai.