Martini: Nuk jemi të favorizuar

Futboll

Martini: Nuk jemi të favorizuar

Më: 6 korrik 2021 Në ora: 12:21
Martini: Nuk jemi të favorizuar

Në vigjilje të ndeshjes së turit të parë eliminator të Champions-it, ndaj kampionëve të Moldavisë, Sherif Tiraspol, e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Niko Dovana” në orën 19:00, në konferencë për shtyp është shfaqur trajneri i Teutës, Edi Martini i cili analizoi këtë takim për skuadrën durrsake:

Dëmtimet – “Kemi bërë një fazë përgatitore të mirë dhe është e rëndësishme që nuk kemi pasur dëmtime. Daja ka pasur pak probleme në fund të stërvitjes dje. Në përgjithësi skuadra është mirë, edhe lojtarët që kanë ardhur janë të mobilizuar. Kështu që shpresoj që gjithçka të shkojë mirë”

Sherif Tiraspol – “Normalisht që në letër janë më mirë se ne, kanë buxhet shumë herë më të lartë se ne. Jemi në një pikë që pavarësisht se nuk jemi të favorizuar, mund të arrijmë më të mirën. Sigurisht është një ndeshje shumë e vështirë, nuk është sikur vjet që ishte me një takim dhe luanim në shtëpi. Sidoqoftë duhet të bëjmë një paraqitje shumë të mirë ndeshjen e parë, të arrijmë rezultat dhe të shohim pastaj ndeshjen e kthimit”

Lojtarët e transferuar – “Çdo gjë do kohën e vet, jemi të vetëdijshëm. Seferi është një lojtar që vrapon shumë dhe na ndihmon në të dyja fazat, në mbrojtje e sulm. Është një lojtarë me eksperiencë, pasi vjen nga Kombëtarja.

Lojtarët që vijnë nga kombëtarja kanë treguar se përshtaten shpejt. Kallaku është një lojtar që deri vjet ka qenë i joni, kështu që nuk është ndonjë problem i madh, pasi 80 për qind e ekipit është po ai. Shpresoj të jenë në maksimumin e gjendjes së tyre.”, përfundoi Edi Martini.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat