Anglia para sfidës me Hungarinë

Futboll

Anglia para sfidës me Hungarinë

Më: 2 shtator 2021 Në ora: 11:50
Anglia para sfidës me Hungarinë

Anglia mund të jetë pa shërbimet e Xhejdën Sanços në ndeshjen e sotme kualifikuese të Botërorit “Katar 2022” kundër Hungarisë.

Ndeshja, e cila do të luhet në “Puskas Arena” të Budapestit, do të jetë e para për “Tre Luanët” pas humbjes në finalen e Europianit kundër Italisë më 11 korrik. Sulmuesi i Mançester Junajtidit ishte një prej yjeve të Sauthgejtit i cili gaboi nga pika e bardhë e penalltisë në “Wembley” atë mbrëmje, por ka marrë një goditje në stërvitje dhe mund të mos jetë i gatshëm në takimin e sotëm.

“Sanço ka marrë një goditje të vogël në mëngjes në stërvitje dhe do ta vlerësojmë. Të gjithë të tjerët janë të gatshëm për ndeshjen”, tha trajneri Sauthgejt në konferencën e djeshme për shtyp.

Ndeshja e Grupit I do të jetë vendimtare për dy kryesueset e këtij grupi. Me një fitore, Anglia mund të shkëputet +5 në një grup ku vetëm fituesi i tij siguron kualifikimin automatik në Botërorin e vitit të ardhshëm në Katar.

“Tre Luanët” do të luajnë 3 kualifikuese gjatë kësaj pauze ndërkombëtare, ndërsa do të presin Andorrën në “Wembley” të dielën përpara transfertës së vështirë me Poloninë të mërkurën.

“Mendoj se dy ndeshjet në transfertë që kemi këtë javë do të jenë shumë sfiduese. Luajmë përballë skuadrave të mira dhe do të jenë ndeshje vendimtare sa i përket kualifikimit.

Ti nuk mund të parashikosh se cila do të jetë ndeshja më e vështirë, por ne dimë që Hungaria është një skuadër shumë e fortë dhe renditet në vend të dytë në këtë grup”, tha Sauthgejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat