Lukaku: Kam ëndërruar të shënoj në Stamford Bridge

Futboll

Lukaku: Kam ëndërruar të shënoj në Stamford Bridge

Më: 12 shtator 2021 Në ora: 09:35
Romelu Lukaku,

Sulmuesi i Chelseat, Romelu Lukaku, ka thënë se kishte ëndërruar të shënonte gol në Stamford Bridge që prej moshës 11-vjeçare, pasi i shënoi dy gola në fitoren e Chelseat 3:0 kundër Aston Villës.

Sulmuesi belg e shënoi golin e parë në karrierë në stadiumin e Chelseat pas një asisti nga Mateo Kovacic, duke i ndihmuar Chelseat ta ruajë ecurinë pa humbje në fillim të sezonit.

Duke folur pas ndeshjes, 28-vjeçari tha se kishte punuar shumë për ta arritur këtë çast.

“Ka qenë ëndërr e imja që prej moshës 11-vjeçare. Kam punuar shumë për këtë çast”, tha Lukaku.

“Pata rënie dhe ngritje në fillim të karrierës sime por në tri vitet e fundit e kam gjetur një vazhdimësi. Me përvojë dhe punë të madhe, po e vazhdoj punën”, shtoi ai.

Lukaku e puthi emblemën e klubit kur e festoi golin hapës në ndeshje para tifozëve të kaltër, pasi e mposhti portierin Jed Steer në paraqitjen e tij të 15-të në përgjithësi në Stamford Bridge.

Ai e vulosi fitoren e Chelseat në kohën shtesë me një goditje të fuqishme nga cepi i zonës. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat