Skënderbeu merr vendimin për trajnerin

Futboll

Skënderbeu merr vendimin për trajnerin

Më: 25 janar 2022 Në ora: 11:40
Skënderbeu merr vendimin për trajnerin

Qetësohet situata në Korçë, atje ku Skënderbeu ka filluar të mendojë menjëherë për përballjen e dyfishtë me Teutën, fillimisht në Kupë e më pas në kampionat. Deklarata e bërë nga trajneri Migen Memelli pas humbjes me Kukësin duket se e ka lëkundur disi ambientin bardhekuq në lidhje me një largim të mundshëm të pogradecarit nga stoli i Skënderbeut.

Por kjo ka rezultuar veçse një “tymnajë” e asgjë më shumë. Dje, ose më saktë disa orë pas ndeshjes së humbur ndaj Kukësit, Memelli ka marrë konfirmimin e presidentit Ardjan Takaj, i cili u ka dhënë besim stafit teknik dhe lojtarëve edhe pas kësaj humbjeje.

Në kushte të tilla ekipi ka nisur dje punën, ku si fillim është zhvilluar një analizë mes grupit. Memelli u ka shprehur besimin lojtarëve të tij se nga kjo situatë do të duhet të dalin të gjithë bashkë dhe një gjë të tillë do ta bëjnë duke luftuar në çdo cep të fushës.

Trajneri bardhekuq pasi ka analizuar me video të gjithë ndeshjen ndaj Kukësit është ndalur edhe në një fjalim motivimi për lojtarët.

Në këto kushte Memelli ka dashur të shkundë ekipin, me qëllim ringritjen dhe marrjen e maksimumit në dy ndeshjet e radhës, pavarësisht se do të luhen në kushte jo të favorshme atmosferike.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat