Apolonia mund Partizanin

Futboll

Apolonia mund Partizanin

Më: 20 shkurt 2022 Në ora: 21:51
Apolonia mund Partizanin

Java e 12-të e kampionatit të femrave ka ulur siparin këtë të diel, me tre ndeshje të zhvilluara ditën e sotme, teksa dy sfidat e tjera të javës u luajtën të shtunën.

Ndeshja më pikante e javës, Partizani- Apolonia, e zhvilluar ditën e sotme përfundoi në favor të bardhejeshileve me shifrat 0-2. Një sfidë jo e lehtë për të dyja ekipet, që prodhuan raste, por goli që zhbllokoi lojën erdhi vetëm në minutën e 37-të. Hamonikaj kaloi në avantazh Apoloninë, teksa pjesa e parë u mbyll me këtë rezultat. Në fraksionin e dytë, Gashi realizoi edhe golin e dytë, duke dyfishuar rezultatin për fieraket, me Apoloninë që merr një tre pikësh me vlerë në këtë transfertë të vështirë.

Sakaq, në këtë javë të 12-të u zhvilluan edhe dy derbi, në Tiranë e Shkodër. Vllaznia mundi Murlanin me shifrat 6-0, në një ndeshje të dominuar nga vajzat kuqeblu. Dopieta e Doçit e Berishës, si dhe golat e Gjinit e Lufos i dhanë fitoren kampioneve në fuqi të vendit, që janë në krye të tabelës së klasifikimit.

Në derbin e kryeqytetit, Tirana fitoi me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Kinostudios, me skuadrën bardheblu që ishin dukshëm më superiore në këtë ndeshje. Tre gola në fraksionin e parë të lojës, që mbajnë firmat e Goros, Vishkullit dhe Metallës, ndërsa në pjesën e dytë Goro realizon sërish dy gola të tjerë, ndërsa shënon edhe Kodra. Golin e vetëm për Kinostudion e realizoi kapitenia Cyme Lulaj, nga pika e bardhë e penalltisë.

Me po të njëjtin rezultat përfundoi edhe sfida tjetër e së shtunës, Skënderbeu – Atletik Club. Shkodranet triumfuan me shifrat e thella në transfertën e Korçës. Një ndeshje që pa fillimisht juglindoret në avantazh, me Kejsi Potomin që realizoi golin e parë dhe të vetëm për Skënderbeun. Armoku mendoi për barazimin e shifrave, teksa realizoi pas dy minutave pasi korçaret kishin kaluar në epërsi. Ndërkaq, Iris Armoku realizoi edhe tre gola të tjerë, duke e dërguar në katër numrin e golave në këtë sfidë, ndërsa shënuan edhe Markaj e Krasniqi.

Në ndeshjen tjetër të javës, Teuta triumfuan ndaj Lushnjes me rezultatin 3-0. Vendaset ishin favorite në letër për ta fituar këtë sfidë, duke e dëshmuar edhe në fushë. Bregdetaret kaluan fillimisht në epërsi me Pucën, ndërsa më vonë realizoi edhe Disha, e cila dyfishoi shifrat. Pak minuta para fundit të ndeshjes, Disha realizoi edhe golin e dytë personal e të tretin për skuadrën e Teutës, që del nga kjo ndeshje me tre pikë.

Ndeshjet e javës së 12-të:

Skënderbeu 1-6 Atletik Club

Tirana 6-1 Kinostudio

Partizani 0-2 Apolonia

K.F. Murlani 0-6 Vllaznia

Teuta 3-0 Lushnja

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat