Andrey Voronin nuk është më trajner i Dinamos së Moskës. Trajneri ukrainas, 42 vjeç, ka arritur marrëveshje me klubin për zgjidhjen konsensuale të kontratës. Kështu përfundon aventura e tij pas gati një viti e gjysmë me kryeqytetasit rus, e diktuar nga pushtimi që ushtria e Vladimir Putin ka nisur në Ukrainë prej 6 ditësh.
Më parë, Voronin ishte lojtar i Dinamos ruse, nga viti 2010 deri më 2014.
Kujtojmë se një ditë më parë, edhe Yuri Vernydub, trajneri i Sheriff Tiraspol në Moldavinë fqinje, skuadër që në Champions League mposhti 2-1 Real Madridin në “Bernabeu”, iu bashkua ushtrisë ukrainase për të mbrojtur atdheun.
Në foto, 56-vjeçari shihet krenar i veshur me uniformën ushtarake ukrainase. Pretendohet se ai iu është bashkuar përpjekjeve të mbrojtjes territoriale të vendit.
Vernydub u bë figura e fundit sportive nga Ukraina që iu bashkua përpjekjeve të luftës. Kampioni i botës në boks në peshën e rëndë Oleksandr Usyk është fotografuar duke mbajtur një armë në vijën e parë, në frontin e luftës.