Tirana fiton ndaj Teutës

Futboll

Tirana fiton ndaj Teutës

Më: 2 mars 2022 Në ora: 18:47
Tirana fiton ndaj Teutës

Tirana kaloi pa shumë probleme në stadiumin e Elbasan Arena testin Teuta. Bardheblutë triumfuan me rezultatin e pastër 0-2, ndërsa heroi i ndeshjes ishte Taulant Seferi. Bomberi i kryeqytetasve shënoi të dy golat për ekipin e tij duke u konfirmuar lider i skuadrës, ndërsa tashmë shkëputet edhe në klasifikimin e golashënuesve duke shkuar në kuotën e 14 realizimeve.

Goli i parë për lojtarin nga Kumanova erdhi në minutën e 17 teksa Seferi përfitoi edhe nga një naivitet i portierit të ri të durrsakëve Dema. 17-vjeçari nuk e kontrolloi mirë goditjen e Seferit dhe sfera i shpëtoi nga duart duke kaluar vijën fatale. Në vazhdim, durrsakët provuan të reagonin por Emiljano Vila nuk pati shënjestrën e duhur.

Në fraksionin e dytë, sinjalin e parë e dha Teuta, me anë të një inkursioni të Lorenco Vilës me Najdovskin që u tregua i vëmendshëm për të larguar rrezikun. Nga krahu tjetër, Tirana nuk shpërdoron mundësinë për të vendosur tre pikët në kasafortë dhe Seferi shënon pas një sponde të Devid De Silva. 25-vjeçari feston në stilin e CR7, ndërsa skuadra bardheblu udhëheq e qetë kampionatin ndërsa shkon në nëntë pikë avantazh ndaj Laçit që ka një ndeshje më pak dhe luan nesër ndaj Egnatias.

Ndeshja e radhës për Tiranën është ajo e së shtunës ndaj Partizanit, ndërsa të besuarit e trajnerit Orges Shehi i dërgojnë një sinjal të kuqve që në këtë sezon nuk ia kanë dalë ta mposhtin Tiranën në asnjë prej dy sfidave duke pësuar dy humbje.

Teuta-Tirana  0-2   (Seferi 17′ 60′).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat