Kukësi dhe Egnatia ndajnë nga një pikë

Futboll

Kukësi dhe Egnatia ndajnë nga një pikë

Më: 9 prill 2022 Në ora: 15:55
Kukësi dhe Egnatia ndajnë nga një pikë

Është mbyllur në barazim 1-1 sfida e parë e javës së 28-të mes Kukësit dhe Egnatia në stadiumin e Kamzës. Verilindorët patën më shumë iniciativë në të parën ku gjetën edhe golin me anë të Gj.Taipit, ndërsa në të dytën, rrogozhinasit ndryshuan sjellje dhe barazuan me anë të Imerit. Por, në fund, Egnatias në ndihmë i erdhi edhe VAR që anuloi një gol të Lulaj në minutat e fundit të ndeshjes.

Sa i takon kronikës së sfidës, Kukësi ishte superior dhe u shfaq shumë kërkues në pjesën e parë. I pari që rrezikoi kuadratin e rrogozhinasve ishte Edi Basa në minutën e 10, i cili pati një mundësi të shkëlqyer por nuk gjeti kuadratin e portierit Hasanbelli. Në vazhdim, ishte radha e Bruno Lulajt i cili edhe pse në vështirësi provoi goditjen, mirëpo pa shënjestrën e duhur.

Sakaq, në të 29-tën ishte radha e Egnatias për të rrezikuar, teksa Bledar Lila në hyrje të zonës nuk pati saktësinë për të vendosur në provë gardianin Çollari. Ndërkaq, momenti vendimtar i së parës erdhi në minutën e 32-të, kur Gj. Taipi finalizoi në gol aksionin që e nisi vetë, teksa me anë të një kthese spektakolare në zonë dërgoi në festë të tijtë. Për t’u përmendur që para se Taipi të dërgonte topin në rrjetë, Ndreca u dal nga tranversa.

Ndërkohë, fraksioni i dytë nisi me ritëm pasi vendasit kërkonin barazimin me çdo kusht teksa në minutën e 62-të protestuan për një penallti pas prekjes së topit me dorë nga ana e Sh.Taipit pas goditjes së Jackson. Një minutë më pas, Jackson pati rastin e artë pas gafës së portierit Çollari, mirëpo braziliani me portën e boshatisur u ndal nga De Lucas. Por, Egnatia u shpërblye në minutën e  79-të pas një goli të Imerit, i cili goditi saktë brenda zonës me portierin Çollari i cili kishte pamjen e kufizuar prej lojtarëve para tij.

Ndërkaq, rrogozhinasit i shkuan shumë pranë përmbysjes me anë të Pedros, por braziliani gaboi me portën e boshatisur. Nga ana tjetër, Kukësi nuk ishte i kënaqur me barazimin dhe provoi ta fitonte ndeshjen madje gjeti rrugën e rrjetës me anë të Lulajt. Por, VAR i erdh në ndihmë Egnatias pasi mbrojtësi e prek topin me dorë.

Në fund, 90-minutat u mbyllën në barazim 1-1, me skuadrat që ndajnë nga një pikë, teksa Kukësi ngjitet momentalisht në vendin e dytë me 47 pikë, por ka një ndeshje më shumë se Laçi, ndërsa Egnatia mbetet e teta me 30 pikë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat