Milan kthen sytë nga Manchester City

Futboll

Milan kthen sytë nga Manchester City

Më: 26 prill 2022 Në ora: 11:58
Milan kthen sytë nga Manchester City

Milani nis të mendojë seriozisht për merkaton e verës. “Kuqezinjtë” që momentalisht drejtohen nga grupi Elliot, kanë hedhur sytë nga Anglia, ku kanë piketuar Riyad Mahrez.

31-vjeçari, i cili është pjesë e Manchester City që nga viti 2018, kohë kur u transferua nga Leicester, sipas mediave, është kthyer në një nga objektivat kryesorë të “kuqezinjve” për të përforcuar krahun e djathtë të sulmit.

Kontrata e algjerianit me “Citizens” përfundon në vitin 2023 dhe e ardhmja e tij te ekipi i drejtuar nga Guardiola është në pikëpyetje. Këtë sezon Mahrez ka realizuar 11 gola në 25 paraqitje në kampionat dhe 6 gola në Champions League. Por klubi Italian nuk është i vetmi që ndjek me interes futbollistin, pasi në garë janë edhe Real Madrid, Barcelona dhe PSG.

E ardhmja e Serge Gnabry duket gjithmonë e më larg Bayern Munich. Pavarësisht deklaratave të drejtuesve të klubit se bisedimet që lojtari të rinovojë vazhdojnë me intensitet, mediat raportojnë të kundërtën, me lojtarin që ka zgjedhur të largohet nga kampionët e Gjermanisë. Pjesë e bavarezëve që nga viti 2017, kur u transferua nga Werder Bremen, Gnabry u huazua te Hoffenheim dhe për t’u rikthyer në shtëpi një sezon më pas duke u shndërruar në një pikë referimi për mesin e fushës së Bayernit. Kontrata e futbollistit përfundon në vitin 2023 dhe në rast se 26-vjeçari nuk vendosë të qëndrojë, klubi, për të mos e humbur me parametra zero do ta lërë të largohet në fund të sezonit. Vlera e lojtarit kap shifrën e 90 milionë eurove dhe klubet që interesohen për shërbimet e tij nuk mungojnë.

Aventura e Frenkie De Jong te Barcelona është drejt fundit. Sipas mediave, mesfushori është i pakënaqur me minutazhin e rezervuar nga trajneri Xavi, i cili e zëvendëson gjithmonë gjatë çdo ndeshje duke shkaktuar kështu jo pak mërzi te futbollisti. Katalanasit kanë shpenzuar plot 85 milionë euro për ta afruar në Camp Nou nga Ajaxi në vitin 2019, por holandezi nuk arriti kurrë të tregojë aftësitë e tij me fanellën e katalanave.

Pikërisht për shkak të paraqitjeve vlera e kartonit të tij ka zbritur në 70 milionë euro. Klubi më i interesuar duket se është Bayern Munich, që e shikon holandezin si pasuesin e Lewandowskit, i cili mendon të largohet nga klubi gjerman.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat