Gega: Shpresat janë të pakta, Skënderbeu do të ringrihet

Futboll

Gega: Shpresat janë të pakta, Skënderbeu do të ringrihet

Më: 30 prill 2022 Në ora: 19:43
Gega: Shpresat janë të pakta, Skënderbeu do të ringrihet

Trajneri i Skënderbeut, Skënder Gega, është i bindur se korçarët do të ringrihen pas rënies që tashmë e ndan vetëm matematika. Pas humbjes ndaj Vllaznisë, ai theksoi se klubi kishte në dorë të ardhmen e lojtarëve dhe trajnerit, por nuk ia mbylli derën mundësisë së qëndrimit te kjo skuadër.

“Këtë javë kemi punuar sepse gjërat shuhen në tre ditë, por ngarkesa dhe ajo që i mbetet për të punuar është e trajnerit. Ne erdhëm të relaksuar jo për situata se Shkodra është djep i futbollit, erdhëm të bënim fair-play dhe të bënim maksimumin.

Është e pafalshme që trajneri të fusë frymën e tolerimit, nuk është problemi jonë nëse Shkodra ka situatën dhe objektivat e saj, është puna e tyre. Edhe ne kur kemi bërë gabime ne, dikush ka përfituar. Nëse do të merrnim pikë, do të ndjeja keqardhje se Shkodra e meriton të shkojë aty ku e meriton për punën që ka bërë.

Shpresat janë shumë të pakta, por unë mendoj që në futboll, këta lojtarë paguhen si profesionistë dhe të bëjnë si profesionistë. Jam i kënaqur me atë që bënë maksimumin, gabuan në dy momente, duhet të luajmë, do të bëjmë analizë me qetësi, por i uroj suksese Vllaznisë.

E ardhmja e lojtarëve? Në mënyrë absolute nuk e di. E di që janë disa lojtarë që janë premtues e të rinj, por kemi pasur dëshirë që të mos largohemi nga Superiorja, puna e klubit si do i zgjidhin. Do të mbarojmë javët që kanë ngelur, ai qytet meriton më shumë. Por nuk është hera e parë që ndodh, ka ndodhur në Shqipëri dhe jashtë shtetit që bien skuadra. E rëndësishme është të bëhet analizë e rëndësishme dhe do të ringrihen, patjetër do të ringrihen.

Nuk kam asnjë lloj kompleksi të punoj edhe në kategori të katërt. Kur blen cigare shkruan ‘rrezik për jetën”.

Kjo puna e futbollit kështu qenka, kudo të shkosh, si të dalësh kampion a të biesh, presioni është, lodhesh e zemërohesh. Por i shoh gjërat me qetësi, kudo të jem, do të jap maksimumin se jam profesionist. Krijoj marrëdhënie të mira që t’i hapim derën vetes, jo se erdha për të bërë heroin. Erdha me dëshirën e madhe, me dëshirën që t’ia dilnim. Për fat keq nuk ia dolëm, më vjen keq për ekipin dhe Korçën.

Por kurrë mos thuaj jo, se gjërat rrotullohen. Për sa kam qenë këtu, jam i lumtur dhe jam ndjerë shumë mirë, jam ndjerë si në shtëpi. I jam borxhli që në moment të caktuar, nëse kanë nevojë për mua dhe apo ndonjë objektiv prestigjioz, jam i gatshëm”, tha Gega.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat