Hodaj flet për finalen e Conference League

Futboll

Hodaj flet për finalen e Conference League

Më: 20 maj 2022 Në ora: 14:30
Hodaj flet për finalen e Conference League

Data 25 maj është një ditë e veçante për Shqipërinë, Ku UEFA vendosi që finalja e Conference League të luhej në shtetin tonë. Është hera e parë që ne bëhemi vendi pritës të një finaleje të një turneu evropian. Finalja do të luhet në datën 25 maj, në stadiumin “Air Albania”, midis Romës dhe ekipit holandez të Feyenoord.

Masat do të jenë të zgjeruara ku priten të merren që një ose dy ditë para. Për këtë gjë, zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj, ka mbajtur një konferencë për shtyp me gazetarët ku ka prononcuar këtë event të rëndësishëm dhe ka shpjeguar se si do të vijojë qarkullimi në vendin tonë.

“Faleminderit për interesimin, sepse besoj që roli juaj është kyç edhe në këto momenti kur Tirana dhe Shqipëria përgatitet për një event të madh. Dhe komunikimi me publikun është shumë i rëndësishëm, sepse kërkohet edhe mirëkuptimi i publikut, për gjithë këtë festë të madhe që Tirana po përgatitet.

Është një ngjarje historike, sepse nuk ka qëlluar kurrë që Tirana apo Shqipëria, të ketë  pasur mundësinë të organizojë një ngjarje të tillë.

Është një event që do të transmetohet në 170- 180  vende të botës. Është një ditë e madhe për gjithë qytetarët e Tiranës, për gjithë qytetarët e Shqipërisë, gjithë sytë e Europës dhe të botës, besoj do të jenë tek ne.

Siç e keni ndjekur qeveria, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit, Bashkia Tiranë kanë marrë gjithë masat e nevojshme që të jetë një ditë feste, të jetë një ditë gëzimi dhe të jetë një ditë ku çdokush të ketë mundësinë ta shijojë deri në fund dhe plotësisht atë që për ne, është eventi më i madh ndoshta që nga dita e parë e praktikimit të futbollit në Shqipëri.

Një konsideratë shkon për qytetarët e Tiranës. Kujtojmë që atë ditë Tirana do të jetë tërësisht e impenjuar për mbarëvajtjen e eventit. Kështu që shumë zona do të jenë si në ditën pa makina, pa qarkullim.

Dhe ju e keni parë që dhe qeveria ka shpallur një ditë pushimi në mënyrë që gjithë punonjësit dhe qytetarët e qarkut të Tiranës, të kenë mundësi ta shijojnë këtë festë.

Kërkoj mirëkuptimin dhe besoj e kemi mirëkuptimin e tyre për zhvillimin në mënyrë sa më të mirë të këtij eventi dhe të kësaj feste të madhe që përgatitet për në Tiranë.

Një kërkesë tjetër shkon edhe për biznesin, i cili, me përjashtim të biznesit të shërbimeve që do jetë totalisht i impenjuar dhe besoj do jetë një nga ditët, apo 2, 3 apo 4 ditët më të mëdha të punës për gjithë vitin.

Kërkojmë mirëkuptimin e biznesit tjetër që edhe punonjësit e tyre të kenë mundësinë që ta shijojnë këtë festë.

Eshtë ngjarje historike, po e ripërsëris, dhe nuk do lodhem kurrë për ta ripërsëritur. Vërtet ndeshja zgjat 90 minuta por puna e ministrisë, e qeverisë apo e bashkisë ka 90 ditë, ndërsa eventi në total besoj do të zgjasë 90 orë.

Eshtë një ditë e madhe për ne. Le ta shijojmë të gjithë kështu siç parashikojmë që të jetë.”

Sa i përket qarkullimit, si do të funksionojë?  A do të ketë rrugë të lira apo do të bllokohet çdo gjë?

Zv.ministri Hodaj: Ne jemi të ndërgjegjshëm që jeta do të vazhdojë normalisht dhe jo të gjitha rrugët do të jenë të bllokuara por aksesi në pjesën më të madhe të Tiranës do lejohet vetëm për këmbësorët dhe mjetet e nevojës, pra mjetet e urgjencës, mjetet e zjarrfikëses, të Policisë së Shtetit.

Faleminderit!”.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat