Çekiçi: Grupi më i lehtë pa Rusinë

Futboll

Çekiçi: Grupi më i lehtë pa Rusinë

Më: 28 maj 2022 Në ora: 12:43
Çekiçi: Grupi më i lehtë pa Rusinë

Endri Çekiçi ka bërë shumë mirë në sezonin e parë me Konyaspor, ekip ku luajnë edhe Sokol Cikalleshi e Zymer Bytyqi. Mefushori ofensiv i kombëtares kuqezi doli përkrah Taulant Seferit në prononcimin për mediet përpara dueleve ndaj Islandës dhe Izraelit për Nations League (6 dhe 10 qershor), dhe miqësoren ndaj Estonisë (13 qershor), duke prekur disa tema të ndryshme gjatë fjalës së tij.

“Ndihma e Sokolit dhe Zymerit ka qenë shumë e madhe që kur ika te Konyaspori. Po shpresonim për vendin e dytë, por edhe vendi i tretë e bën sezonin shumë të suksesshëm. Kam pak sa shumë të njëjtat statistika si tek Olimpia, por kampionati turk është më i fortë nga ana fizike dhe emrat e lojtarëve që luajnë aty. Jam përmirësuar shumë fizikisht në Turqi.

Kam qenë gjithmonë gati për kombëtaren, por vendos trajneri se kush do të luajë. Rëndësi ka të japim 100%, kushdo që luan të japë maksimumin. Fitoren me Islandën ta lëmë pas, kanë kaluar dy vite, të dy ekipet janë të reja dhe kanë ndryshuar.

Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë pak më të lehtë grupin. Duhet të futemi në fushë për vendin e parë, kemi shumë besim se do e arrijmë qëllimin. Nëse dalim të parët në grup do kemi shanse edhe për Europianin. Vendi i parë duhet të jetë qëllimi ynë kryesor. 

Presion? Jo, kemi lojtarë që luajnë në klube të mëdha, ata janë mësuar me presion, kështu që jo, nuk do kemi probleme presioni. Mungesat? Bare dhe Laçi janë lojtarë të rëndësishëm dhe me kualitet, por kemi edhe Gjasulën, Asllanin dhe Bajramin, jam edhe unë. Të japim maksimumin.

Pika më e fortë e kombëtares? Këto dy vitet e fundit ka qenë pak a shumë i njëjti grup. Harmonia në grup është pika më e fortë. I shoh çunat të kënaqur dhe të qetë, kjo është pika më e fortë.

Tifozët? Tifozat Kuq e Zi kanë qenë gjithmonë fantastikë, na kanë mbështetur në çdo moment. Besoj se do e mbushin stadiumin me Izraelin, shpresojmë t’i bëjmë krenarë“, theksoi 25-vjeçari nga Pogradeci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat