Guardiola mori një makineri golash

Futboll

Guardiola mori një makineri golash

Më: 14 qershor 2022 Në ora: 18:35
Guardiola mori një makineri golash

Një forcë e natyrës. Numra përbindëshi për një futbollist që në korrik do të mbushë 22 vjeç. Erling Haland lë gjithnjë shenjë me besimin e tij përpara porte dhe Mançester Siti që sapo e ka mirëpritur është gati të shijojë spektaklin. Pep Guardiola do të ketë më në fund numrin 9 që kërkoi që verën e shkuar pas largimit të Serxho Agueros dhe dështoi që të transferonte Herri Kejnin nga Totenhemi.

Por tashmë ka garantuar një makineri golash. Me dopietën e shënuar në sfidën e Ligës së Kombeve kundër Suedisë, Haland u ngjit në kuotën e 20 golave me fanellën e Norvegjisë në vetëm 21 ndeshje zyrtare. Debutimi i tij me kombëtaren daton më 5 shtator 2019, kur u aktivizua titullar në suksesin 2-0 në shtëpi kundër Maltës. Një vit më vonë erdhi goli i parë në ndeshjen e vlefshme për turneun e parë të Ligës së Kombeve humbur 2-1 kundër Austrisë. Prej atëherë ai nuk është ndalur më.

42 gola në 39 ndeshje është bilanci i sezonit që sapo mbylli me klubin dhe kombëtaren. Shifra të çmendura. Mesatarja e tij e golave është e pabesueshme: me fanellën e Salcburgut, ku luajti gjatë sezonit 2019-’20, realizoi 29 gola në 27 ndeshje.

Me Borusian e Dortmundit janë 86 golat në 89 ndeshje. Në Kupat e Europës 27 gola në 25 takime. Janë statistika makinerie që thyejnë rekord pas rekordi: në shtator 2019, sapo kishte mbushur 19 vjeç, hyri në historinë e Champions-it me debutimin e tij, duke shënuar me fanellën e Salcburgut një tregolësh në fitoren 6-2 ndaj Genkut që në 45′ e para. U bë futbollisti i dytë më i ri pas Uejn Runit që shënonte tripletë në debutimin në Ligën e Kampioneve.

Në mars 2021 Haland firmosi një tjetër rekord në këtë kompeticion: me dopietën ndaj Seviljes, u bë futbollisti më i ri që arriti në kuotën e 20 golave në Champions, shënuar në vetëm 14 ndeshje, duke kaluar kështu Herri Kejnin (24 ndeshje, Del Pieron 26, Filipo Inzagin 28). Dhe tani nis aventura e re te Siti i Guardiolës. E ardhmja është e tija.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat