Një kampion bote rikthehet në shtëpi

Futboll

Një kampion bote rikthehet në shtëpi

Më: 30 qershor 2022 Në ora: 11:14
Corentin Tolisso do të largohet si lojtar i lirë

Corentin Tolisso do të largohet si lojtar i lirë nga Bayern Munchen.

Mesfushori francez mbylli sezonin e pestë në Bavari, akordi i rinovimit nuk u arrit dhe ai ka vendosur në lidhje me skuadrën e re.

27-vjeçari me origjinë nga Togo ka zgjedhur të rikthehet te Lyoni, klubi ku u bë i njohur dhe nga ku u transferua te Bayerni për 41.5 milionë euro në verën e vitit 2017.

RMC Sport shkruan se Tolisso do të kryejë sot kontrollet mjekësore për të firmosur më pas kontratën e re me klubin francez. Gjatë aventurës në Gjermani ai fitoi 14 trofe, ku bien në sy pesë titujt radhazi dhe Champions League (2020).

Tolisso veshi 118 herë fanellën e Bayernit, duke shënuar 25 gola dhe dhuruar 15 asiste. Dëmtimet e shumta e penguan të shprehte gjithë potencialin e tij te rekordmenët e futbollit gjerman.

Tani është gati të riniset nga Lyoni, klubi nga doli si futbollist. Përveç tij, drejtuesit francezë kanë rikthyer si lojtar të lirë Alexandre Lacazette, të cilin e shitën 51 milionë euro tek Arsenali në të njëjtën verë si Tolisso (2017).

Ky i fundit fitoi edhe Kupën e Botës me Francën në Rusi 2018, ndërkohë që ka shënuar 2 gola në 28 ndeshje me kombëtaren e “gjelave”. Tani do të bashkohen përsëri te Lyoni për të tentuar rrëzimin e PSG-së nga froni.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat