Prishtina fillon përgatitjet nën drejtimin e Ismet Munishit

Futboll

Prishtina fillon përgatitjet nën drejtimin e Ismet Munishit

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 16:02
Prishtina

Nën disiplinë të madhe, punë me shumë seriozitet e angazhim maksimal, batuta të herë pas hershme dhe dëshirë për te ardhur në stërvitje, tash e disa ditë FC Prishtina me kryetrajnerin e ri, Ismet Munishi, i ka nisur përgatitjet për edicionin e ri që starton në muajin gusht.

Faza e parë e përgatitjeve po kryhet në kryeqytet derisa po shfrytëzohet për stërvitje tartanin i stadiumit “Fadil Vokrri” si dhe kompleksi i klubit në Bërnicë.

Skuadra po përgatitet nga dy herë në ditë dhe transferet e reja janë përshtatur shumë mirë me grupin ndërsa për fat të mirë, asnjë futbollist nuk ka shfaqur probleme fizike dhe ndonjë lëndim deri më tash.

Image

Ismet Munishi

Munishi me ndihmësit e tij, Debatik Curri, Armend Simnica dhe trajnerin e portierëve, Ahmet Becelica i kanë inkuadruar në ekipin e parë edhe disa lojtarë nga skuadra e juniorëve, të cilët po tregojnë vullnet për punë dhe përkushtim maksimal.

Skuadra e Prishtinës që sivjet e feston 100-vjetorin e themelit si klub, duket krejtësisht ndryshe në ditët e para te përgatitjeve.

Endrit Baholli, Mërgim Pefqeli, Besir Ramadani, Ramiz Bytyqi, Marclei Santos, Egzon Bislimi, Gentrit Dumani, Muhamed Useini, Butrit Bulliqi dhe Ardi Ajdini janë lojtarët që deri më tash i janë bashkuar edhe zyrtarisht “bardhekaltërve”, mirëpo kryesia e klubit nuk e ka mbyllur "kuletën" me ç'rast në ditët në vijim do të prezantohen edhe ardhje të reja në ekip, njofton faqja e FC Prishtina.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat