Inzaghi: Lukaku do të sjellë gola

Futboll

Inzaghi: Lukaku do të sjellë gola

Më: 5 korrik 2022 Në ora: 18:12
Inzaghi: Lukaku do të sjellë gola

Simone Inzaghi është shfaqur mjaft i lumtur në konferencën për shtyp para nisjes së përgatitjeve për sezonin e ri, teksa nuk e ka fshehur kënaqësinë që do të ketë sërish në organikë sulmuesin belg Romelu Lukaku.

“Me Romelu ndërtuam një marrëdhënie të shkëlqyer në ato pak ditë të verës së kaluar dhe jam i lumtur që këtë sezon do të punojmë bashkë. Ai do të sjellë shumë gola dhe zgjedhje të reja taktike në fushë, megjithatë të mos harrojmë që sulmi i Interit ishte më i miri i kampionatit dhe duhen vlerësuar të gjithë për këtë”, tha Inzaghi.

Krahas Lukakut, te Interi ka ardhur edhe portieri kamerunas, Andre Onana, i cili pritet të rivalizojë me kapitenin Handanovic për vendin e titullarit, megjithatë Simone Inzaghi i ka idetë e qarta për zgjedhjen e tij.

“Titullar niset Handanovic, pasi e meriton për atë që ka bërë sezonin e fundit dhe gjithë vitet këtu te Interi. Onana përfaqëson të ardhmen e Interit, pasi është një portier me cilësi dhe do të ketë mundësi t’i tregojë ato në fushën e lojës”, deklaroi tekniku zikaltër.

Ndonëse deri tani ka firmosur me katër futbollistë, Interi vijon punën në merkato, teksa Dybala është emri më i bujshëm në planet e drejtuesve dhe Skriniar duket se do të jetë i sakrifikuari.

“Skriniar është një mbrojtës i jashtëzakonshëm dhe do të nisë grumbullimin këtu, por nuk e di çfarë do të ndodhë më vonë. Gjithsesi po punojmë ngushtë me drejtuesit, pasi e rëndësishme është që të kemi një skuadër konkurruese. Sa i përket Dybalës, është e pamundur ta fshehësh adhurimin për të, megjithatë kemi 6 futbollistë në organikë, të cilët kanë bërë shumë mirë sezonin e kaluar dhe meritojnë respekt”, tha Inzaghi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat