Asllani kërkon më shumë hapësira te Interi

Futboll

Asllani kërkon më shumë hapësira te Interi

Më: 23 dhjetor 2022 Në ora: 11:33
Asllani

Kristjan Asllani përgatitet për pjesën e dytë të sezonit me Inter teksa zikaltërit në këto ditë janë duke zhvilluar disa teste miqësore në mënyrë që skuadra të mbërrijë gati për ndeshjen e parë të vitit 2023, atë të datës katër janar në shtëpi ndaj Napolit.

Miqësorja e fundit ishte ajo ndaj Regginës ku të besuarit e trajnerit Simone Inzaghi fituan me rezultatin 0-2, teksa Asllani u aktivizua vetëm në minutën e 75-të. Pas sfidës, për kanalin zyrtar të Inter, mesfushori i kombëtares theksoi se ka nevojë për minuta në mënyrë që në fushë të shfaqet me të njëjtin besim si shokët e tij.

“Zhvilluam një ndeshje të shkëlqyer, luajtëm duke e ditur se përballë ishte një skuadër shumë e mirë. Këto ndeshje janë të rëndësishme sepse në këtë moment na duhet pak “benzinë në këmbë”. Edhe për mua është shumë e rëndësishme te luaj dhe të fitoj minuta, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të shfaqem në fushë me të njëjtin besim si shokët e skuadrës”, u shpreh Asllani.

Deri në këtë pikë të sezonit, 20-vjeçari është aktivizuar në shtatë ndeshje për Interin, teksa Asllani është në vitin e parë te zikaltërit pas transferimit në verë nga skuadra e Empolit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat