Erzeni në bisedime me Zekën

Futboll

Erzeni në bisedime me Zekën

Më: 6 janar 2023 Në ora: 18:40
Erzeni në bisedime me Zekën

Erzeni vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes që do të luajë më 14 janar kundër Egnatias në Rrogozhinë. Skuadra e Xhevahir Kapllanit ka pasur vetëm dy firo këtë periudhë, pikërisht sulmuesit Progon Maloku dhe Thierno Thiub, të cilët kanë qenë zëvendësues me skuadrën shijakase në pjesën e parë të këtij sezoni.

Largimi i tyre u ka hapur rrugën afrimeve, teksa aktualisht mësohet se sulmuesi Dejvid Kapllani i ardhur nga Teuta dhe mesfushori Elvis Kovaçi nga Apolonia, mbetet vetëm të firmosin me shijakasit dhe të zyrtarizohen. Njëkohësisht drejtuesit po negociojnë me disa lojtarë të tjerë që mund të vihen nën urdhrat e Kapllanit shumë shpejt.

Së fundmi është lakuar emri i mbrojtësit të djathtë shkodran që luan në Itali, Marjan Gurini. Ky i fundit është një 23-vjeçar që ka qenë pjesë e disa skuadrave në ligat e ulëta italiane, ndërsa më parë është grumbulluar edhe nga Kombëtaret e moshave të Shqipërisë. Sudtirol, Samaurese dhe Tau në Itali janë klubet ku i riu është aktivizuar si mbrojtës i djathtë në katër vitet e fundit. Në klubin shijakas ende nuk konfirmojnë marrëveshjen, por gjasat janë që në ditët në vijim mbrojtësi të mbërrijë në Shqipëri.

Ndërkohë, krahas Gurinit tek Erzeni kanë hedhur sytë edhe në tregun kosovar, aty ku duan të përfitojnë nga situata që po kalon klubi i Gjilanit.

Preferenca e shijakasve është sulmuesi i krahut, Mevlan Zeka. 28-vjeçari i lindur në Gjakovë është futur në bisedime me drejtuesit e Erzenit dhe në parim ka gjetur akordin, por së pari duhet të marrë letrat nga Gjilani, e më pas të hedhë firmën për shijakasit.

Më parë Zeka ka qenë pjesë e Ballkanit, ku është shpallur edhe kampion, ndërsa këtë sezon kaloi te Gjilani, ku në 17 ndeshje të aktivizuara me të kuqtë, ka arritur të shënojë dy gola dhe japë një asist.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat