Vllaznia mposht Kukësin

Futboll

Vllaznia mposht Kukësin

Më: 7 shkurt 2023 Në ora: 19:05
Vllaznia

Pas dy humbjeve radhazi, Vllaznia rikthehet te fitorja dhe këtë e bën në Loro Boriçi ndaj Kukësit.

Kuqeblutë mposhtën verilindorët me rezultatin e pastër 2-0 duke mos i vendosur tre pikët në diskutim, teksa autorët e golave ishin Herald Marku dhe Fjoart Jonuzi.

Goli i parë i shënuar nga mesfushori erdhi në minutën e 20-të teksa Marku lëvizi bukur në krahun e djathtë dhe nga një kënd i vështirë mposhti portierin Halimi.

Ky i fundit u bë protagonist edhe në rastin e golit të dytë, teksa në minutën e 45-të gaboi tërësisht në goditjen e Jonuzit nga distanca me topin që i shpëtoi nga duart.

Në fraksionin e dytë të lojës, shkodranët menaxhuan avantazhin dhe në fund morën tre pikë tejet të rëndësishme pasi tashmë ngjiten në vendin e dytë në kuotën e 31 pikëve, gjashtë më pak se Tirana kryesuese ndërkohë që në javën e ardhshme përplasen pikërisht me bardheblutë në Loro Boriçi.

Të besuarit e trajnerit Mirel Josa janë tërësisht në garën e titullit dhe një fitore ndaj kryeqytetasve mund t’i japë një shtysë më shumë për objektivin madhor.

Nga ana tjetër, Kukësi mbetet në një situatë kritike teksa renditet në vendin e nëntë me 22 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Teuta ia doli në shtëpi përballë Bylisit. Në stadiumin Niko Dovana, “Djemve të Detit” iu mjaftoi një gol i Jurgen Goxhës në pjesën e dytë të lojës. Mbrojtësi që u afrua në merkaton e janarit te Teuta u shfaq vendimtar në minutën e 78-të teksa devijoi saktë me kokë në portën e mbrojtur nga ana e Teqjas duke ndëshkuar kështu ish-skuadrën e tij.

Deri në fund rezultati nuk ndryshoi dhe Teuta shkon në kuotën e 24 pikëve në vend të shtatë, ndërsa Bylis është i teti me 23 pikë,

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat