Cuculli: Fitoren nuk duhet ta vëmë në diskutim 

Futboll

Cuculli: Fitoren nuk duhet ta vëmë në diskutim 

Më: 1 prill 2023 Në ora: 23:00
Ardian Cuculi

E diela sjell ndeshje kampionale për Shkëndijen e Tetovës që në Tetove do të presim Pobedën e Prilepit në xhiron e 25-të të Ligës së Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut.

Pas dy javëve pauzë shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, Shkëndija pretendon të vazhdojë aty ku u ndal.

Pauzën e pritëm me fitoren 2:0 në fushë të Skopjes, që ishte triumfi i tretë me radhë e kuqezinjve dhe mbrojtësi Ardian Cuculi mendon se ekipi është i denjë për të vijuar me serinë e suksesshme. 

Ndeshja Shkëndija-Pobeda luhet të dielën me fillim në orën 15:00. 

Ardian Cuculi, futbollist, thotë: “Pas një periudhe të ndeshjeve të mira të luajtura dhe fitoreve të një pas njëshme erdhi pauza ndërkombëtare, moment i mirë edhe për të sanuar ato problemet e vogla në kuptimin e lojtarëve me lëndime më të lehta që kishim.

Jemi duke u përgatitur maksimalisht për pjesën e mbetur të sezonit ku shpresoj se do të tregojmë fytyrën tonë të vërtetë. Do të marrim ndeshjet një nga një për të dhënë maksimumin dhe për të fituar, e njëkohësisht duke pritur gabime eventuale të rivalëve dhe pse jo t’i shfrytëzojmë.

Tani duhet ta bëjmë atë marshin e fundit, marshin akoma më të fortë që duhet për fundin e kampionatit. Ndoshta këto 10 ditë i shfrytëzuam maksimalisht për tu përgatitur për këtë marsh që kërkohet.

Besoj se kjo seri duhet të fillojë patjetër me një fitore përballë Pobedës ku fitoren nuk duhet ta vëmë në diskutim, gjithnjë duke qenë vigjilent dhe duke dhënë maksimumin në fushë. Gjithmonë është e vështirë në ndeshjet e fituara para kohe, në qoftë se nuk ke angazhimin maksimal, nuk futesh me qasjen maksimale dhe me mendimin që të marrësh tre pikët”.

Apel për publikun Cuculli: “Nuk kam çfarë të apeloj për publikun, sepse ata gjithmonë e kanë treguar veten e tyre dhe gjithmonë kanë qenë mbështetësi kryesor i klubit, gjithmonë kanë qenë lojtari i 12-të i ekipit të Shkëndijës.

Unë vetëm mund të shtoj që të vijnë të na përkrahin akoma më shumë, sepse me të vërtetë klubi, gjegjësisht lojtarët kanë shumë nevojë për mbështetjen e tyre.

Normal gjithë së bashku si një trup i vetëm të aterojmë drejt qëllimeve dhe sukseseve që Shkëndija synon në vazhdimësi”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat