Alketa Rama ka bërë debutim sensacional me Zurichun.
Futbollistja kosovare i dha fund një lëndimi që e kishte lënë jashtë fushës së blertë për plot 8 muaj, që nga gushti i vitit të kaluar.
Ajo gradualisht po e rikthen formën ideale dhe këtë e demonstroi në debutimin e saj në Superligën zvicerane për vajza.
Alketa, e cila është e bija e futbollistit legjendar shqiptar, Milaim Rama, kontribuoi në fitoren 5:1 ndaj ekipit Frauenteam Thun Berner-Oberland në ndeshjen e zhvilluar në Heerenschürli.
Alketa, e cila ka zgjedhur ta përfaqësojë Kosovën, edhe pse është lindur dhe rritur në Zvicër, fillimisht e nxori një penallti në minutën e 77-të pasi u faullua në zonën e rreptësisë, të cilën më pas në gol e shndërroi Naomi Megroz.
Më pas, Rama e shënoi edhe golin e parë në ligën elitare zvicerane për ta ngritur rezultatin në 4:1.
20 vjeçarja synon të tregohet e suksesshme në Superligën zvicerane dhe më pas të depërtojë në një ligë edhe më të fortë evropiane.
Alketa Rama është pjesë e Kombëtares së Kosovës nga viti 2021, fillimisht me ekipin U-19 e më pas edhe me Kombëtaren A.
Ajo shihet si një pasuri për Dardanet, ndërsa familja Rama gjithsesi se është e lumtur dhe krenare me arritjet e Alketës.