Gjashtë muaj pas lirimit nga burgu, edhe pse me kusht, në pritje të dënimit përfundimtar,
Dani Alves i është rikthyer dashurisë së tij të madhe, futbollit. Jo si profesionist, por në mënyrë anonime, duke marrë pjesë në ndeshje mes lojtarëve që nuk e njohin njëri-tjetrin, por vetëm nëpërmjet aplikacionit.
Siç raportojnë mediat spanjolle, gjatë gjithë verës, ish-futbollisti ka marrë pjesë në ndeshjet e zhvilluara në fushat e futbollit rreth Barcelonës, qytet të cilin nuk mund ta lërë për shkak të një vendimi gjykate.
Dani Alves është kthyer në fushë duke përdorur një aplikacion të famshëm, të krijuar për të organizuar ndeshje futbolli mes njerëzve që nuk e njohin njëri-tjetrin. Regjistrimi bëhet me një pseudonim, disa tregues të rolit, aftësisë dhe nivelit të lojës, si dhe disponueshmërisë për t’u bashkuar në ndeshje.
Pasi të jetë arritur një numër i mjaftueshëm, lojtarët takohen në vendin dhe kohën e dakorduar.
Prania e Dani Alves nuk kaloi pa u vënë re, pasi u përjetësua në më shumë se disa video, madje bëri “selfie”.
Pas 14 muajsh burg dhe dënimit të shkallës së parë me 4.5 vite heqje lirie për sulm seksual ndaj një vajze të re në Barcelonë, braziliani u lirua përkohësisht marsin e kaluar, përkundrejt garancisë pasurore të majme. Dënimi përfundimtar do të arrijë brenda dy viteve, në këtë periudhë kohore ish-futbollisti i Barcelonës nuk do të mund të largohet nga Spanja.