Autori i golit të tretë, Markus Turam, ka folur në konferencën për shtyp pas ndeshjes Inter-Parma. Ai ka treguar emocionet e këtij goli kundër skuadrës së qytetit të lindjes, por ka shpjeguar gjithashtu edhe raportin miqësor që ekziston mes tij dhe Lautaro Martinezit në fushën e lojës. Turam thotë se në sfidën e kthimit në Parma do të ketë më shumë emocione sesa këtë herë, por nuk vendos një kuotë për golat që mund të arrijë këtë sezon.
Erdhi goli i 10-të në Serinë A. Keni një numër në mendje?
Jam i lumtur. Kjo është gjëja më e rëndësishme që Interi të fitojë. Pastaj nëse vjen ndonjë numër i rëndësishëm të shohim çfarë mund të ndodhë.
U emocionuat për golin kundër Parmës?
Po. Unë kam lindur në Parma. Mendoj se kur të luaj në stadiumin e tyre, emocioni do të jetë më i madh sesa këtë herë.
Çfarë ka ndryshuar pas ndeshjes Inter-Juventus?
Vitin e kaluar nuk kemi pësuar shumë gola, por në fillim të sezonit nisëm të pësonim disi shumë. Kemi folur të gjithë bashkë dhe tani jemi një ekip kompakt në fushën e lojës.
Çfarë ju lidh me Lautaron?
Lauti është një lojtar i jashtëzakonshëm. Të luash me të është gjithmonë e lehtë. Kemi punuar shumë gjatë kësaj kohe dhe jam i kënaqur që gjërat po shkojnë siç duhet për skuadrën.
Mendoni se do të ndikojë ndeshja e shtyrë kundër Fiorentinës?
Nuk mendoj se do të ketë ndonjë peshë të madhe. Të gjithë në fund do të luajmë të njëjtat ndeshje dhe do të bëhet klasifikimi.
Çfarë fshihet pas përqafimit me Inzagin?
Në pjesën e parë isha duke bërë të njëjtën lëvizje gjithmonë dhe nuk po funksiononte, pastaj më tha që të bëja të kundërtën dhe të ndryshoja rolin. Kështu shkoi siç duhet. Për këtë arsye e përqafova.