Ardhja e Flick ia “ndryshoi jetën” yllit blaugranas

Futboll

Ardhja e Flick ia “ndryshoi jetën” yllit blaugranas

Më: 20 prill 2025 Në ora: 18:42
Hansi Flick

Ardhja e Hansi Flick në stolin e FC Barcelonës nuk ka sjellë vetëm një revolucion futbollistik te skuadra blaugrana, por ka përmbysur plotësisht edhe karrierën e Raphinhas.

Anësori brazilian, i cili verën e kaluar ishte shumë pranë largimit nga klubi, është shndërruar në një nga lojtarët kyç të ekipit dhe një kandidat serioz për Topin e Artë.

Pas një paraqitjeje spektakolare kundër Celtas – ku dha një asist dhe shënoi dy gola, përfshirë një penallti në kohën shtesë që vulosi fitoren – Raphinha nuk hezitoi të njohë ndikimin e Flick në transformimin e tij.

“Para se të vinte ai, unë kisha vendosur të largohesha. Por fjalët e tij më ndryshuan perspektivën dhe më bindën të qëndroja. Sot mund të them se është momenti më i mirë i karrierës sime, dhe këtë ia detyrohem atij,” rrëfeu braziliani.

Statistikat e mbështesin këtë shpërthim: këtë sezon, Raphinha është përfshirë në 53 gola – me 30 gola të shënuar dhe 23 asistime – duke lënë pas edhe bashkëkombësin e tij Vinicius, i cili ka kontribuar në 34 gola.

Përtej numrave, Flick ka ditur të zhvillojë mentalitetin dhe udhëheqësinë e një lojtari që tashmë është i pazëvendësueshëm në skemën e Barcelonës.

Trajneri gjerman ka rikthyer shpresën në një dhomë zhveshjeje që vinte nga një sezon zhgënjyes. Pa shumë përforcime të mëdha – përveç Dani Olmos dhe Pau Víctor – ai ka rindërtuar skuadrën me një stil të guximshëm dhe të drejtpërdrejtë.

Barcelona kryeson në të gjitha kompeticionet dhe ëndërron për tripletën, ndërsa Raphinha shkëlqen më shumë se kurrë, si simbol i një projekti të rilindur me Flick si arkitektin kryesor..

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat