Dëmtohet edhe talenti 19-vjeçar

Futboll

Dëmtohet edhe talenti 19-vjeçar

Më: 9 gusht 2025 Në ora: 14:11
Pamje nga një ndeshje

Bayern Munich po i humbet lojtarët një nga një. Pas Jamal Musiala, që do të qëndrojë jashtë fushave edhe për disa muaj për shkak të frakturës së fibulës, dhe Serge Gnabry, i cili së fundi ka ulur ngarkesën stërvitore për shkak të problemeve fizike, tani vjen një tjetër telash për Vincent Kompany. Ky dëmtim, të paktën, nuk pritet të jetë afatgjatë.

Siç ka bërë të ditur klubi bavarez, Paul Wanner ka pësuar një dëmtim të lehtë të ligamenteve të kyçit të këmbës së majtë gjatë miqësores kundër Tottenham Hotspur, e zhvilluar të enjten në mbrëmje.

Mesfushori ofensiv gjerman, vetëm 19 vjeç, hyri në fushë në minutën e 68-të kundër “Spurs” dhe luajti deri në fund të ndeshjes, por tani nuk do të jetë i gatshëm për kampionët e Gjermanisë.

Sipas “Sky Sport DE”, Wanner do të mungojë maksimumi dy javë. Futbollisti i majtë, i lindur në vitin 2005, që dy sezonet e fundit ka qenë i huazuar tek Elversberg dhe Heidenheim, konsiderohet një talent i madh nga Bayerni.

Pas largimeve të Thomas Müller, Mathys Tel dhe Leroy Sané, ai kishte shpresuar me të drejtë të gjente hapësira në skuadër. Megjithatë, sipas të njëjtit burim, asgjë nuk përjashtohet dhe largimi i tij gjatë kësaj merkatoje verore mbetet ende i mundshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat