Tirana e Nuhiut me shifra alarmante

Futboll

Tirana e Nuhiut me shifra alarmante

Më: 4 dhjetor 2025 Në ora: 17:29
Tirana

Për krizën e Tiranës flasin qartë rezultatet e këtyre 14 javëve kampionati. Vendi i fundit në tabelë, 7 pikë të grumbulluara dhe një “thes” me gola të pësuar, plot 27.

Edhe pse ka ndërruar tre trajnerë, Tirana nuk ka mundur të stabilizojë prapavijën dhe vazhdon të marrë gola të thjeshtë nga kundërshtarët. Plot 6 herë u ndëshkua kjo skuadër në derbin me Dinamo City, që humbi edhe një penallti me Vilën.

Numra katastrofikë për Tiranën, që ka pësuar 10 gola më shumë se mbrojtja e dytë më e dobët e kampionatit.

Trajneri aktual, Ardian Nuhiu, jo vetëm që nuk ka mundur të përmirësojë situatën, por e ka përkeqësuar atë.

Në 5 ndeshje në krye të stolit bardheblu, ai ka marrë vetëm një barazim (1-1 me Flamurtarin) dhe ka pësuar 4 humbje (2-0 ndaj Bylisit dhe Vorës, 1-0 ndaj Egnatias dhe 6-2 ndaj Dinamo City).

Tirana po thyen rekorde negative këtë sezon dhe, edhe pse ka shumë ndeshje për të zhvilluar nga ky kampionat, shanset e mbijetesës duken minimale. Shifrat janë kokëforta dhe nuk gënjejnë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat