Luis Figo për Arbeloan te Real Madridi

Futboll

Luis Figo për Arbeloan te Real Madridi

Më: 16 janar 2026 Në ora: 19:16
Figo

Luis Figo ka komentuar vendimin e Real Madridit për të shkarkuar Xabi Alonson dhe për t’ia besuar stolin trajnerit të Castilla-s, Álvaro Arbeloa. Ish-‘ylli’ i “Los Blancos” e ka cilësuar këtë lëvizje si një rrezik të llogaritur nga drejtuesit e klubit, duke theksuar se tani është e nevojshme mbështetja totale për trajnerin e ri deri në fund të sezonit.

“Është një bast nga bordi drejtues dhe ne duhet ta mbështesim Arbeloan për pjesën e mbetur të sezonit. Është një vendim i klubit”, është shprehur Figo.

Sipas tij, shkarkimi i trajnerit në mes të sezonit përbën gjithmonë një situatë negative për të gjithë ambientin e skuadrës.

Figo ka pranuar se largimi i Xabi Alonsos ka qenë i papritur: “Shkarkimi i Xabit është surprizë, sepse jemi vetëm në gjysmën e sezonit. Në këto rrethana nuk pret një ndryshim trajneri, madje as pas humbjes së një kompeticioni si Superkupa e Spanjës. Kjo është arsyeja pse vendimi më duket befasues”.

Ish-fituesi i Topit të Artë ka theksuar se tani prioriteti kryesor për Real Madridin duhet të jetë rikthimi i stabilitetit. “Pas largimit të një trajneri, stabiliteti është thelbësor në çdo aspekt. Sezoni është ende i gjatë dhe ka shumë për t’u luajtur”, ka shtuar ai.

Sipas Figos, Real Madridi ka ende mundësi reale për të fituar trofe të rëndësishëm: “Madridi ka dy kompeticione shumë të rëndësishme që mund t’i fitojë. Por për ta bërë këtë, duhet të përmirësohemi në çdo aspekt”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat