Rikthehet Champions League dhe Juventusi, i drejtuar nga Luciano Spalletti, do të presë mbrëmjen e së mërkurës Benfikën e Jose Mourinho-s në një përballje shumë të rëndësishme për fatin europian të bardhezinjve.
Një fitore ndaj portugezëve dhe më pas kundër Monacos do t’i siguronte Juventusit statusin e kokës së serisë në “play-off”, ndërsa ekziston edhe një skenar më i vështirë për kualifikim direkt në fazën e 1/8-ve.
Në konferencën për shtyp, Spalletti theksoi respektin maksimal për kundërshtarin: “Kur përballesh me skuadra si Benfica, përballesh me një pjesë të historisë së futbollit. Skuadrat portugeze të fusin në ritmin e tyre dhe, nëse nuk je i vëmendshëm, rrezikon të mbetesh i bllokuar. Pres që lojtarët tanë të jenë gati”.
Sfida e nesërme do të jetë edhe një duel interesant mes Spalletti-t dhe Mourinho-s.
“Me José-në ka pasur një periudhë të parë me disa replika, më shumë nga ana e tij, por më pas është ndërtuar respekti. Është gjithmonë kënaqësi ta rishohësh.
Kur është Mourinho, volumi i futbollit rritet.
Të jem përballë tij është krenari”, u shpreh trajneri i Juventusit.
Spalletti paralajmëroi një Benfica agresive: “Është një përballje direkte. Ata, ashtu si ne, do të duhet të vendosin identitetin e tyre në fushë. Jam i bindur se do të dalë një ndeshje shumë interesante”.
Sa i përket merkatos, tekniku bardhezi ishte i qartë:
“Me drejtuesit takohemi çdo ditë. Nuk pres asgjë të veçantë. Do të vazhdojmë me qetësi dhe koherencë, duke luftuar për objektivat tanë me lojtarët që kam në dispozicion”.