Ish-mesfushori i Sunderland A.F.C. ka paralajmëruar klubin për rrezikun në afatin kalimtar.
Kapiteni i Sunderlandit, Granit Xhaka, është cilësuar si “i jashtëzakonshëm” teksa po shijon një sezon të parë mbresëlënës në “Stadium of Light”.
Reprezentuesi i Zvicrës ishte një transferim disi befasi në skuadrën e Sunderlandit, pasi u bind të rikthehej në Premier League pas një periudhe të suksesshme me Bayer Leverkusenin në Bundesligë.
Xhaka nuk humbi kohë për të bërë ndikim në muajt e parë të sezonit, pasi lidershipi dhe përvoja e tij ndihmuan Sunderlandin të përshtatet me jetën në elitë duke arritur disa rezultate të rëndësishme.
Çdo dyshim mbi aftësinë e mesfushorit për t’u përballur sërish me ritmin dhe intensitetin e Premier League u hodh poshtë shpejt, pasi ai nisi të marrë vlerësime të vazhdueshme për paraqitjet e tij.
Xhaka vazhdon të luajë një rol kyç në një Sunderland që mbetet në garë për një vend në garat evropiane sezonin e ardhshëm, teksa përgatitet për ndeshjen e sotme ndaj Wolverhampton Wanderers, që tashmë është rënë nga liga, duke qenë vetëm tre pikë larg top-shtatëshes.
Ish-kapiteni i Arsenalit shpreson ta përmbyllë një vit të shkëlqyeshëm duke e dërguar skuadrën e tij në Evropë për herë të dytë në histori. Kjo mund të sjellë një afat kalimtar vere mjaft interesante, ndërsa skuadra e Le Bris synon sukses në disa fronte.
Xhaka ka marrë lëvdata edhe nga ish-mesfushori i Sunderlandit, Tommy Miller, i cili theksoi se transferimi i tij është bërë katalizatori i gjithçkaje që ka pasuar.
Ai deklaroi për portalin anglez “The Echo”: “Ka qenë i jashtëzakonshëm.
Sapo Regis Le Bris e solli në skuadër, të gjithë u habitën dhe e kuptove që do të tentonin seriozisht.
Ai largoi disa lojtarë që kishin bërë shumë mirë në Championship dhe i kishin siguruar promovimin por koha nuk pret për askënd dhe ai e kuptoi që Premier League është një hap i madh në cilësi.
Kam qenë vetë lojtar dhe e di sa i madh është ky hap. Kur sjell një lojtar të cilësisë dhe nivelit të Granit Xhakës, bëhet më e lehtë që të tjerët ta ndjekin”.