Para ndeshjes së sotme të kampionatit maqedonas midis Tikveshit dhe Arsimit nga Çegrani, lojtari i skuadrës shqiptare, Subi Mustafa, foli për rëndësinë e kësaj ndeshjeje, duke theksuar se skuadra e tij po udhëton për në Kavadar me qëllimin e qartë për rezultat pozitiv.
Mustafa theksoi se skuadra është e vetëdijshme për vështirësinë e ndeshjes, por se përgatitjet janë kryer në një nivel të lartë dhe me përqendrim të madh. Sipas tij, çdo pikë në këtë fazë të sezonit ka vlerë të madhe dhe mund të jetë çelësi për arritjen e qëllimit kryesor të Arsimit.
"E dimë sa e rëndësishme është kjo ndeshje për ne. Shkojmë në Kavadar të përgatitur maksimalisht dhe me besim të madh se mund të fitojmë pikë.
Çdo rezultat pozitiv na sjell një hap më afër qëllimit tonë kryesor këtë sezon", tha Mustafa.
Për më tepër, lojtari i Arsimit shtoi se skuadra nuk ka ndërmend të dorëzohet dhe se do të luftojë deri në fund të kampionatit. Ai theksoi se shpirti luftarak, uniteti dhe dëshira për sukses do të jenë të pranishme në çdo ndeshje të ardhshme.
“Do të luftojmë për çdo top dhe çdo pikë deri në raundin e fundit. Nuk ka dorëzim, besojmë në vetvete dhe në ekip”, përfundoi Mustafa.
Ndeshja midis Tikveshit dhe Arsimit luhet sot në stadiumin e qytetit në Kavadar, duke filluar nga ora 16:00.