Interi drejt rinovimit me Chivun

Futboll

Interi drejt rinovimit me Chivun

Më: 7 maj 2026 Në ora: 16:42
Cristian Chivu

Interi është gati të blindojë trajnerin Cristian Chivu me një kontratë të re, duke konfirmuar besimin e plotë te tekniku rumun dhe te projekti sportiv që ka nisur një vit më parë.

Klubi zikaltër nuk dëshiron të nisë një sezon të ri me një trajner në skadencë kontrate dhe e konsideron rinovimin si një hap kyç edhe për planifikimin e merkatos.

Pas finales së Kupës së Italisë, presidenti Beppe Marotta do të thërrasë trajnerin në zyrë për të formalizuar marrëveshjen.

Objektivi është zgjatja e kontratës deri më 30 qershor 2028, me një rritje page që mund të shkojë në rreth 3 milionë euro në sezon. Besimi ndaj trajnerit është total.

Në klub theksohet se Chivu ka ditur të menaxhojë me qetësi një dhomë zhveshjeje komplekse, duke ruajtur stabilitetin dhe rezultatet.

Titulli kampion i fituar së fundmi shihet si hapi i parë i një cikli të ri, i cili megjithatë duhet të rritet sidomos në Europë, ku Interi synon të rikthehet protagonist.

Në aspektin sportiv, klubi dhe trajneri po punojnë për të ndërtuar një skuadër më intensive dhe më vertikale, të përshtatur me kërkesat e futbollit modern europian.

Merkatoja do të bëhet në bashkëpunim, brenda kufijve të buxhetit, por me synimin për të rritur cilësinë dhe thellësinë e skuadrës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat