Situata e Neymarit për Kupën e Botës 2026 mbetet ende e pasigurt.
Ylli brazilian po rikuperohet pas një ndërhyrjeje kirurgjikale të kryer në fund të vitit të kaluar dhe ende nuk ka arritur formën optimale fizike.
Trajneri i Brazilit, Carlo Ancelotti, ka bërë të qartë se në listën përfundimtare do të përfshihen vetëm lojtarët që janë në gjendje të plotë sportive.
Gjendja e Neymarit konsiderohet e ndërlikuar, ndaj klubi i tij Santos, ka vendosur një plan të kujdesshëm aktivizimi, për të shmangur dëmtimet dhe ngarkesën e tepërt.
Pavarësisht sfidave, Neymar mbetet ende në garë për të bindur stafin teknik. Roli i tij në skuadër, mes titullarit dhe alternativës nga stoli, do të varet nga forma fizike dhe performanca e tij në ditët e ardhshme.
Në këtë situatë, Neymar ka edhe një mbështetje të rëndësishme. Në një intervistë për mediat argjentinase, Lionel Messi e ka vlerësuar si një nga lojtarët më të mëdhenj të skenës ndërkombëtare.
“Unë mendoj se lojtarët më të mirë duhet të jenë gjithmonë në Kupën e Botës. Neymar është një lojtar i veçantë.
Kur është në formë të mirë, ai mund të bëjë gjëra që pak lojtarë në botë i bëjnë. Ai është nga ata futbollistë që ndryshojnë ndeshjet”, tha Messi.
Messi ka përmendur gjithashtu Francën dhe Spanjën si kombëtaret më në formë për Botërorin, por ka theksuar se edhe Brazili mbetet gjithmonë një kundërshtar i fortë, pavarësisht luhatjeve të fundit në performancë.
Vendimi përfundimtar mbi pjesëmarrjen e Neymarit në Kupën e Botës 2026 pritet të shpallet më 18 maj.